Vrasja në tentativë në Kaçanik, Gjykata mori vendim për të dyshuarin

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.T. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – vrasja në tentative.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 15 tetor 2021, në Kaçanik, me dashje ka tentuar ta vrasë të dëmtuarin J.D. në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi, të cilin borxh vëllai i të dëmtuarit ia kishte vëllait të të pandehurit, i pandehuri fillimisht përleshet me të njëjtin, e më pas e sulmon me thikë, duke e goditur dy herë, në pjesën e abdomenit.

Si pasoojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari pëson lëndime trupore, për çka detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në QKMF në Kaçanik, në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas edhe në QKUK në Prishtinë.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.