Vrasja në Skenderaj, arrestohet edhe i dyshuari i dytë

23:13 – Vrasja në Skenderaj, arrestohet edhe i dyshuari i dytë

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas veprimeve intensive është arrestuar edhe personi i dytë i dyshuar për rastin e vrasjes në Skenderaj.

Vrasja ka ndodhur sot, më 12.02.2025, rreth orës 14:00 në një lokal në rrugën “Sala dhe Hamit Jashari”.

I dyshuari me iniciale B.I. është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat ndërlidhen me rastin, tha Policia.

“Në lidhje me rastin-Vrasje e rëndë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicë Jug, pas veprimeve intensive kanë arritur të identifikojnë lokacionin dhe të arrestojnë edhe personin e dytë të dyshuar për këtë rast” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, hetuesit në koordinim me prokurorin janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.

19:28 – Pamje: Trupi i viktimës tërhiqet nga vendi i ngjarjes

Trupi i pajetë i 42-vjeçarit, i cili u vra sot, më 12.02.2025, në Skenderaj, është tërhequr nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me rastin, dy persona janë shpallur në kërkim menjëherë pas rastit tragjik dhe tashmë, sipas Policisë, njëri prej tyre është arrestuar.

18:45 – Vrasja në Skenderaj, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës ka njoftuar më 12.02.2025 për arrestimin e një të dyshuari në lidhje me vrasjen e 42-vjeçarit I.I., që ka ndodhur sot në Skenderaj.

Sipas Policisë, në cilësi të të dyshuarit është arrestuar i dyshuari H.I.,62-vjeçar të cilit i janë konisfkuar tri armë-revole, ndërsa në kërkim policor mbetet edhe një person tjetër i dyshuar.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas Policisë, nga veprimet e deritanishme hetimore është realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë, një karikator me 30 fishekë e gjithashtu edhe 15 fishekë të një kalibri tjetër.

Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve së bashku me prokurorin e shtetit po vijojnë hetimet për arrestimin edhe të një personi tjetër të dyshuar si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

17:15 – Tërhiqet trupi i viktimës nga lokali ku ndodhi vrasja në Skenderaj 

Tërhiqet trupi i të vrarit nga vendi i ngjarjes në Skenderaj. Foto: Adelina Ahmeti | KALLXO.com.

16:47 – Dy të dyshuar për vrasjen në Skenderaj, Prokuroria jep detaje për vrasjen

Prokurori Themelore në Mitrovicë ka dhënë detaje për vrasjen që ndodhi në Skenderaj më 12.02.2025.

Sipas Prokurorisë, rasti është kualifikuar si “vrasje e rëndë” dhe të dyshuar janë dy persona.

“Prokurori i departamentit për krime të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Për ketë rast që është kualifikuar si vrasje e rend janë te dyshuar dy persona. Dihet identiteti i tyre por ende nuk janë kapur nga drejtësia. Kemi një person të vrarë dhe tash duhet të hetohen rrethanat, motivi dhe gjithçka që ka çuar në vrasje tragjike”- tha për Kallxo.com, Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

16:30 – Policia në kërkim të të dyshuarit për vrasjen në Skenderaj

Ekipet e Krim-Teknikës, hetues policorë, shefi i Hetimeve të Policisë në regjionin e Mitrovicës dhe Prokurori kujdestar janë në vendin e ngjarjes ku rreth orës 14:00 më 12.02.2025 ndodhi vrasja e një personi në Skenderaj.

Deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare për shkakun që çoi deri te shkrepja e armës brenda lokalit në rrugën “Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj, ku mbeti i vrarë 42-vjeçari I.I.

Ndërkohë, Policia ende nuk ka arritur të lokalizojë të dyshuarin.

Siç mëson KALLXO.com, tashmë i dyshuari është identifikuar dhe është në kërkim të Policisë.

Ekipe të Policisë kanë dalë nëpër vende të ndryshme dhe janë duke kërkuar të dyshuarin edhe në disa lokacione tjera përveç Skenderajt.

16:04 – IML në vendin ku ndodhi vrasja në Skenderaj

nstituti i Mjekësisë Ligjore është në vendin ku ndodhi vrasja ne Skenderaj.

KALLXO.com është duke raportuar nga vendi i ngjarjes.

IML do të bëj bartjen e trupit të pajetë për obduksion.

Deri më tani në bazë të policisë një person është i dyshuar.

I dyshuari dhe viktima janë të afërm mes vete.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se personi i vrarë të mërkurën në Skenderaj është një burrë i moshës rreth 42-vjeçare.

15:04 –  Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja në qendër të Skenderajt

15:02 – Të dhënat zyrtare të Policisë për vrasjen në Skenderaj

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se personi i vrarë të mërkurën në Skenderaj është një burrë i moshës rreth 42-vjeçare.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për KALLXO.com se sot më, 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50, Policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj.

Sipas informatave fillestare, thekson Zahiri, të shtënat kanë ndodhur brenda një local.

“…ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima mashkull i moshës rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës.”- tha ai.

Zyrtari nga Policia ka shtuar se rrjedha hetimore po zhvillohet në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të një personi të dyshuar.

14:52 – Viktima dhe i dyshuari janë familjarë mes vete

KALLXO.com mëson se vrasja e një personi në Skenderaj të mërkurën ka ndodhur në një kafiteri.

Viktima është një burrë me inicialet I. I.

vrasja, skenderaj
Vendi ku ka ndodhur vrasja në Skenderaj Foto: KALLXO.com | 12.02.2025

Viktima dhe i dyshuari dyshohet se janë familjarë mes vete, nga fshati Klinë e Ulët, në Skenderaj.

“I dyshuari dhe viktima janë të afërm mes vete janë të Klinës se Skenderajt. Deri më tani kemi një të dyshuar”- tha Avdylaziz Hoxha, shef i hetimeve regjionale në Mitrovicë.

14:34 – Vrasje në Skenderaj

Një vrasje dyshohet se ka ndodhur në qytetin e Skenderajt para disa minutash, sot më 12.02.2025.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Avdylaziz Hoxha, shef i hetimeve regjionale në Mitrovicë.

KALLXO.com mëson se vrasja ka ndodhur në një kafiteri.

Viktima është një burrë me inicialet I. I.