Vrasja në Shtime, kryhen bastisje edhe në Pejë

Burime të KALLXO.com brenda hetuesisë kanë thënë se disa bastisje për llogari të hetimit të rastit të grabitjes që përfundoi me një të vrarë dhe një të plagosur në Shtime janë kryer edhe në qytetin e Pejës.

Të njëjtat burime kanë sqaruar se në bastisje nuk janë gjetur prova që ndërlidhin njerëz nga Peja me këtë rast.

Më herët KALLXO.com raportoi duke u bazuar në burime nga hetuesia se i arrestuari i sotëm për këtë rast është nga Prishtina.

Burimet thonë se i dyshuari e ka emrin Albert dhe dëshmitarët e kanë përmendur emrin e tij si të përfshirë të mundshëm në këtë rast të grabitjes

Megjithatë janë duke u kryer disa ekzaminime për të vërtetuar nëse ai është i përfshirë” ka thënë një burim brenda hetuesisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se është arrestuar një i dyshuar për grabitjen që ndodhi në Shtime dy ditë më parë.

Arrestohet një i dyshuar për grabitjen në Shtime

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Mehmetali Hajdini, konfirmoi për KALLXO.com se një person është arrestuar dhe se ai është duke u intervistuar nga hetuesit në stacionin e Policisë në Ferizaj.

Hajdini tha se arrestimi i tij është bërë në një lokacion në rajonin e Prishtinës.

Ai shtoi se Policia është në kërkim edhe të të dyshuarve tjerë.

Gjatë grabitjes që ndodhi të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit në Shtime, njëri nga grabitësit e dyshuar mbeti i vdekur ndërsa pronari i shtëpisë, i cili kishte ardhur nga Zvicra për pushime, u plagos.

Policia ka arrestuar vetë pronarin dhe vëllain e tij ndërsa banorë të Shtimes kanë protestuar para stacionit të Policisë në Ferizaj në kërkim të lirimit të tyre.