Vrasja në Shtime, babai i të dyshuarve proteston para gjykatës

Babai i dy vëllezërve që po dyshohen për vrasjen në Shtime ka mbledhur dhjetëra persona para Gjykatës së Ferizajit duke protestuar lidhur me ndalimin e djemve të tij.

Vëllezërit N.N dhe A.N po akuzohen për vrasje, që sipas prokurorisë ka ndodhur pas një tentim grabitjeje nga tashmë i ndjeri F.G.

N.N pritet të qëndrojë një muaj në paraburgim, kurse i vëllai i tij A. N. në arrest shtëpiak.

Këta të dy kanë mohuar se e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.

Edhe babai i tyre tha se djemtë janë ndaluar gabimisht. Ai tha se i ka parë ata dhe se njëri është i lënduar ndërsa tjetri është mirë.

 

Si e përshkruan prokuroria vrasjen në Shtime?

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës disa persona dyshohet se ia kishin mësyrë shtëpisë së një mërgimtari në Shtime për grabitje, ku njëri nga ta mbeti i vdekur, ndërsa të tjerët u arratisen.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria e Ferizajt, ndaj dy vëllezërve të dyshuar A. N. dhe N. N., të cilët dyshohen për vrasjen e viktimës, F. G.

Në kërkesën për paraburgim është përshkruar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

Sipas kërkesës të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se të dyshuarit me dashje kanë privuar nga jeta të ndjerin F. G., i cili me disa persona të tjerë, të armatosur kishin shkuar në shtëpinë e të dyshuarve për të kryer grabitje.

Sipas kërkesës kur i dyshuari N. N. kishte vërejtur viktimës kishte filluar të përleshet fizikisht me të, ku është plagosur me armë zjarri në këmbën e djathë nga njëri prej tre, të cilët më pas kishin arritur të largohen nga shtëpia.

Në kërkesë thuhet se dy të pandehurit kanë ndjekur viktimën dhe të dyshuarit e tjerë deri në rrugën kryesore të fshatit Godancë, ku kanë arritur ta zënë dhe përsëri kanë filluar përleshjen me viktimën F. G..

Si pasojë e goditjeve nga të dyshuarit, F. G., i cili është djali i një zyrtar policor ka mbetur i vdekur.

Vrasje në Shtime