Vrasja në Prizren, në shtëpinë e Dibran Hoxhës është gjetur një kasafortë e fshehur prapa kaminës

Burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Sipas këtyre burimeve, kasaforta është zbuluar gjatë bastisjes së shtëpisë ndërsa e njëjta ende nuk është hapur pasi për hapjen e saj duhet të zhvillohen disa procedura, përfshirë marrjen e disa urdhëresave dhe ftesën e Njësisë kundër Eksplozivëve.

Kasaforta, sipas burimeve, ishte e kamufluar në hapësirat prapa kaminës në shtëpinë e Dibran Hoxhës.

Dibran Hoxha është i dyshuari kryesor për vrasjen që ka ndodhur në orët e mëngjesit të 3 janarit në lokalin e tij “Kobra City” në Prizren.

Një 31-vjeçar nga Kukësi ka vdekur si pasojë e plagëve me armë zjarri dhe një tjetër është plagosur nga arma me të cilën dyshohet se ka shtënë Dibran Hoxha.

Përveç Hoxhës, për këtë rast janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë.

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj për 6 të arrestuarit.

Drejtoria e Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës dhe Policia e Prizrenit kanë kryer sot bastisje të reja në lidhje me rastin tragjik.

Gjatë bastisjeve në njërën prej pronave të të dyshuarve është gjetur një granatë dore dhe disa fishekë.

Po ashtu, në njërin prej lokacioneve të bastisura është gjetur edhe një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR), për të cilin dyshohet se është i lokalit ku ka ndodhur krimi.

Por, kjo ende nuk është konfirmuar.

Bastisjet në pronat e të dyshuarve për rastin në “Kobra City”, gjenden granatë dore e fishekë

18:34

Drejtoria e Krimeve të  Rënda e Policisë së Kosovës dhe Policia e Prizrenit gjatë ditës së sotme kanë bastisur edhe tre lokacione të tjera lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në Prizren.

Gjatë bastisjes janë gjetur një granatë dore dhe disa fishekë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi.

“Gjatë ditës janë bastisur edhe disa lokacione tjera. Drejtoria e Krimeve të Rënda në asistim me Policinë e Prizrenit ka kryer bastisje të ndryshme lidhur me rastin e vrasjes që ka ndodhur” – ka thënë zëdhënësi Bytyqi.

Bastisjet, sipas Policisë, janë kryer në tre lokacione në Prizren si dhe në lokalin “Kobra City”.

Bytyqi tutje ka bërë të ditur se gjatë bastisjeve janë konfiskuar disa prova dhe gjësende.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Bytyqi ka shtuar se disa nga këto prova mund të kenë ndërlidhje me rastin e vrasjes.

Rasti sipas Policisë do të shkojë në procedurë të rregullt.

Mëngjesin e së martës më 3 janar 2023, ka ndodhur një vrasje në një lokal nate në Prizren.

Dyshohet se ngjarja tragjike ishte rezultat i një përleshjeje rreth pagesës së një fature.

Si rrjedhojë, 31-vjeçari V. C., nga Kukësi, ka mbetur i vrarë, ndërsa një tjetër është plagosur.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari kryesor është Dibran Hoxha.

Ai po ngarkohet për veprat penale: Vrasje e rëndë; armëmbajtje pa leje, dhe manipulim me prova.

Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të tre shtetasve të Shqipërisë derisa ata kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.

Dosja e Prokurorisë thotë se pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hipin në veturën me targa angleze, për t’u larguar, në parkingun e lokalit paraqitet i dyshuari D.H., i cili me armë zjarri ka shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C., i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh., i cili kishte qenë në ulësen e përparme.

Si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C. vdes rrugës për në spital të Kukësit, derisa R.Sh., nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në Spitalin e Tiranës.

Lidhur me vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri në oborrin e lokalit të natës “Kobra City” janë arrestuar 6 persona, në mesin e tyre edhe i dyshuari kryesor Dibran Hoxha.

Ndaj të dyshuarve Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Një DVR gjendet gjatë bastisjeve në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin “Kobra City”

18:10

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Në orët e para të 3 janarit, në lokalin “Kobra City” ka ndodhur një incident gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë një i ri nga Kukësi ka mbetur i vdekur e një tjetër i plagosur.

Burime të KALLXO.com tregojnë që gjatë bastisjes në disa shtëpi në zonën e fshatit Zhur është zbuluar edhe një DVR.

Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse DVR është nga lokali ku ka ndodhur ngjarja, mirëpo kjo pajisje pritet të ekzaminohet në ditët në vijim.

I dyshuari kryesor për rastin tragjik, Dibran Hoxha, përveç për vrasje të rëndë po dyshohet edhe për fshehje të provave, sidomos të DVR-së dhe armës së përdorur në rast.

Bastisje të reja për rastin e vrasjes në lokalin “Kobra City”

17:51

Tri bastisje janë kryer sot në zonën e fshatit Zhur të Prizrenit në lidhje me rastin e vrasjes së të riut nga Kukësi.

KALLXO.com mëson se cak i bastisjeve kanë qenë tri shtëpi të disa personave.

Lidhur me vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri në oborrin e lokalit të natës “Kobra City” janë arrestuar 6 persona, në mesin e tyre edhe i dyshuari kryesor Dibran Hoxha.

Ndaj të dyshuarve Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e mëngjesit të 3 janarit.