Foto-ilustrim

Vrasja në Prizren, mbrojtja propozon ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca e radhës e gjykimit të Orhan dhe Albert Ademajt, të akuzuar për vrasje të rëndë.

Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit Orhan Ademaj, ka propozuar që të bëhet ekzaminimi psikiatrik i të mbrojturit të tij.

“Konsiderojmë se nxjerrja e ekspertizës lidhur me konstatimin e gjendjes psikike për të mbrojturin tim, në momentin e kryerjes së veprimeve për të cilat akuzohet si dhe para kryerjes së atyre veprimeve, në rastin konkret është e domosdoshme duke marrë parasysh faktin se Prokuroria në dispozitivin e aktakuzës thekson se veprimet janë marrë me qëllim të hakmarrjes, gjë që ne e kundërshtojmë në tërësi dhe konsiderojmë se nuk mund të ketë gjykim të drejtë pa nxjerrjen e kësaj ekspertize” – ka sqaruar Mazreku.

Ky propozim ka hasur në kundërshtim të Prokurorisë.

Genc Nixha, prokuror i çështjes, ka thënë se ekzaminimi i të akuzuarit nuk ka të bëjë me motivin e kryerjes së veprës penale.

Avokati Mazreku po ashtu ka propozuar edhe dëgjimin e dy dëshmitarëve si dhe nga Gjykata kërkoi që të sigurohet e kaluara kriminale e viktimës M.K.

Lidhur me këto propozime Gjykata do të marrë vendim.

Paraprakisht në këtë seancë është dëgjuar eksperti dr. Arsim Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka konstatuar se sipas ekspertizës vdekja e të ndjerit ka ardhur nga goditja me mjet të mprehtë.

Eksperti Gërxhaliu ka sqaruar se viktima ka qenë në këmbë në momentin e goditjes.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Blerim Mazreku, eksperti ka mohuar se substancat narkotike apo alkooli mund të ndikojnë në sistemin e gjakut.

Seanca e radhës u caktua për më 11 nëntor 2022.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta M. K.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin të ndjerin M. K., i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Transiti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet M. K., dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.