Vrasja në Prizren, Dibran Hoxha transferohet në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan

Ditëve të fundit, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ku ishte dërguar pas rastit të vrasjes në Prizren, është transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se për transferimin e Hoxhës ka pasur një kërkesë nga organet e ndjekjes, kërkesë që është aprovuar nga Gjykata e Prizrenit.

Një 31-vjeçar nga Kukësi ka vdekur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe një tjetër është plagosur më 3 janar 2023.

Dibran Hoxha është i dyshuari kryesor për vrasjen që ka ndodhur në orët e mëngjesit të 3 janarit në lokalin e tij “Kobra City” në Prizren.

Përveç Hoxhës, për këtë rast janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë.

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj për 6 të arrestuarit.

I dënuar 17 herë për krime të ndryshme, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, po menaxhonte lirshëm biznesin e tij privat “Kobra City” në Prizren.

Lirinë ia mundësuan dënimet e buta të gjyqtarëve të Prizrenit të cilët në asnjë rast nuk e morën për bazë të kaluarën kriminale të tij.

Rrahje, armë pa leje, lëndime të rënda trupore, shmangie tatimore, vjedhje rryme, dëmtim i vulave zyrtare, dëmtim i pasurisë së huaj e kanosje, janë veprat penale për të cilat ishte dënuar ndër vite Dibran Hoxha.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për rastet kriminale të regjistruara në sistemin e drejtësisë për Hoxhën.

‘Frika’ e gjyqtarëve nga ‘helmi i Kobrës’