Fotografi nga vendi i ngjarjes pas vrasjes në një hotel në Prishtinë, Foto; KALLXO.com

Vrasja në Prishtinë, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurorja kujdestare

Një person ka mbetur i vrarë nga arma e zjarrit e dy të tjerë të lënduar nga një mjet i mprehtë, në një hotel në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

KALLXO.com ka kontaktuar me prokuroren kujdestare në Prokurorinë e Prishtinës, Fitore Sadikaj, e cila konfirmoi se është në vendin e ngjarjes ndërsa nuk pranoi të jap detaje pasi sipas saj ende është herët të flitet për këtë rast.

Deri më tani ende nuk dihen detaje se çka dërgoi deri tek vrasja me armë zjarri dhe plagosja e dy personave të tjerë me thikë në një hotel i cili gjendet në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.

Zyrtarë e hetues policorë tashmë janë në vendin e ngjarjes ndërsa ekipi i KALLXO.com që gjendet atje raporton se Forenzika ka marrë provat në vendngjarje dhe është larguar.

Gjithashtu aty është parë edhe ekipi i emergjencës dhe automjeti i Institutit të Mjekësisë Ligjore pasi që njëri nga personat që ka qenë në hotel ka mbetur i vrarë nga plagët e marra nga arma e zjarrit.

Naser Syla nga Emergjenca ka thënë për KALLXO.com se dy të plagosurit me thikë janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tyre është stabile.