Vrasja në Prishtinë dyshohet se u krye për probleme familjare, në vend ngjarje u gjetën 10 gëzhoja
Një grua dyshohet se ka vrarë një burrë mbrëmë, më 20.08.2024, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë.
Lidhur me rastin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj në një përgjigje për KALLXO.com ka dhënë detaje shtesë.
Ulaj tha se krimi që dyshohet se kreu 56-vjeçarja ka për motiv disa probleme familjare.
Ajo tha se nga ana e hetuesve kompetent është sekuestruar edhe arma e cila dyshohet se është përdorur për të kryer veprën penale.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qellim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje” – tha Ulaj.
Ajo tutja shtoi se me urdhër të Prokurorisë, trupi i viktimës është dërguar në Insitutitn e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“E dyshuara është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale vrasja e rëndë si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale” – tha e njëjta.
“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti” – vazhdoi e njëjta.
Ulaj tha se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha mbrëmë se 56-vjeçarja e dyshuar pasi kreu veprën penale u dorëzua në Policinë e Kosovës.
Teksa në raportin e sotëm 24-orësh të Policisë u tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha.
Tutje u shtua se në cilësi të provave materiale përpos pistoletës, janë sekuestruar edhe një karikator me 3 fishekë.
E gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale.