Foto: KALLXO.com

Vrasja në Prishtinë, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për të pandehurin G.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M. dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, i njëjti mund të shmanget nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, si dhe mund të ndikojë në dëshmitarë, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Me datë 27.10.2024 në Prishtinë, një burrë ka vdekur pasi dyshohet se është goditur disa herë me thikë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në rrugën “Tirana”. Për ngjarjen ishte arrestuar i dyshuari G.M.

Raportimet lidhur me këtë rast i gjeni KËTU.