Ilustrim

Qerim Kelmendi u gjet i vdekur rreth 300 metra larg shtëpisë

 

Një person është gjetur i vdekur brenda veturës së djegur në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës.

Viktima dyshohet se është Qerim Kelmendi, vëllai i Ibrahim Kelmendit, Përfaqësues i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

KALLXO.com merr vesh se vetura është vërejtur duke u djegur nga punëtorët e pastrimit.

“Vetura është vërejtur duke u djegur nga punëtorët e pastrimit. Ata e kanë njoftuar Policinë dhe në vendin e ngjarjes kanë dal Policia të cilët kanë qenë afër. Aty kanë dalë edhe zjarrfikësit, dhe pasi e kanë shuar zjarrin është vërejtur se brenda veturës është edhe një trup i karbonizuar”, kanë thënë burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë së Pejës.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit.

Kallxo.com merr vesh se vetura ku është gjetur trupi i djegur është vërejtur nga punëtorët e pastrimit të cilët e kanë njoftuar Policinë.

“Automjeti është i karbonizuar, kufoma është gjetur brenda në të. Automjeti është gjetur në fshatin Llabjan, 200-300 metra afër shtëpisë”, kanë thënë burime brenda Prokurorisë së Pejës për KALLXO.com.

Ndërkohë Policia ka njoftuar se janë duke i zhvilluar hetimet për të zbardhur rastin.

“Rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, njofton Policia.

“Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

“Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore. Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ne bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm”, bën të ditur Policia.