Vrasja në Pejë, viktima kishte raportuar në Polici dorasin një ditë para rastit tragjik

Detaje të reja kanë dalë në pah në dosjen e vrasjes së djeshme në Pejë.

KALLXO.com ka marrë informacione se viktima një ditë para se të vritej kishte shkuar në Polici dhe kishte denoncuar dorasin e dyshuar.

Pas raportimit të tashmë viktimës nuk ishte ndaluar i dyshuari. Të nesërmen ka ndodhur vrasja.

Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi, e ka konfirmuar se viktima e ka raportuar një rast në Polici dhe rasti është trajtuar, porse  Policia kishte vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale.

Viktima kishte raportuar se dikush e kishte njoftuar atë se i dyshuari po e përcillte.

Raportet mes viktimës dhe të dyshuarit nuk ishin të mira që nga dita kur tashmë viktima e kishte denoncuar të dyshuarin për sulm seksual ndaj vajzës së tij.

I dyshuari ishte mësimdhënës i vajzës së viktimës dhe për sulmin seksual ai ishte dënuar nga Gjykata.

Ndërsa, për raportimin që kishte bërë tashmë viktima në Polici një ditë para rastit tragjik nuk është informuar prokurori kujdestar.

“Ne e kemi kryer punën tonë. IPK është duke hulumtuar rastin nëse ka pasur ndonjë shkelje apo lëshim nga ana e Policisë”, tha zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi.

Kujtojmë se dorasi i dyshuar më 1 prill të këtij viti është shpallur fajtor nga Gjykata e Pejës për vepër penale të sulmit seksual ndaj vajzës së viktimës.