Vrasja në Pejë, dy persona në ndalim

Një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë ditës së sotme pasi ishte therur me thikë nga një person tjetër.

Incidenti tragjik ka ndodhur në Pejë.

E gjitha kishte nisur nga një përleshje ku u përdorën edhe thikat. Përleshja kishte ndodhur mes disa personave.

Deri më tani, sipas Prokurorisë së Pejës, janë identifikuar tre persona që kanë marrë pjesë në rast, dy nga ta janë në ndalim ndërsa një i ri tjetër ka vdekur pasi ishte dërguar në spital.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, tha për KALLXO.com se njëri nga të dyshuarit është ndaluar për vrasje e tjetri për lëndim të lehtë trupor.

Nikçi përmendi se i dyshuari për vrasjen e sotme ka marrë plagë nga përleshja.

Rreth orës 14:45, Policia kishte pranuar një informacion për një përleshje që kishte ndodhur në njërën nga lagjet e Pejës.

Pas këtij informacioni njësitet policore dhe prokurori i shtetit i janë përgjigjur rastit.

Fillimisht, dy persona, tanimë viktima dhe i dyshuari, ishin dërguar në Emergjencë në Pejë pas lëndimeve të marra nga thika.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com mësoi edhe se për rastin ka edhe dëshmitarë të cilët edhe do të intervistohen që të identifikohen persona të tjerë nëse kanë qenë të përfshirë në rast.

Në lidhje me vrasjen në Pejë, KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme.