Vrasja nq objektin e Top Channel, Foto: TCH

Vrasja në objektin e Top Channel, reagon Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias

Pas vrasjes së punëtorit të sigurimit, pas të shtënave me armë zjarri në drejtim të objektit të televizionit Top Channel në Shqipëri, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias ka thënë se janë të shokuar me rastin.

Kjo qendër ka shprehur ngushëllime për familjen e të vrarit, ndërsa ka thirrje për hetim të pavarur dhe profesional të rastit.

“Jemi të shokuar kur mësuam se ka ndodhur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në Shqipëri, ku humbi jetën një roje sigurie në objekt. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale”- thuhet në reagimin e tyre.

Në orët e para të ditës së sotme, në drejtim të objektit të televizionit shqiptar Top Channel në Tiranë është qëlluar me armë zjarri.

Policia e Shtetit në një njoftim ka bërë të ditur se si pasojë e të shtënave ka vdekur një 60-vjeçar.

Policia ka thënë se viktima ka qenë roje e sigurisë në Top Channel, punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve.

“Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se shërbimet policore kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.