Vendi ku ndodhi plagosja në Mitrovicë, 20.09.2024 Foto: KALLXO.com
Vrasja në Mitrovicë, Prokuroria njofton për bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit
Në lidhje me vrasjen e një 45-vjeçari që ndodhi më 20.09.2024 në rrugën “Fatime Hetemi” në Mitrovicë të Jugut, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se është bastitur shtëpia e të dyshuarit, i cili ende ndodhet në arrati.
“Është bastisur shtëpia e personit të dyshuar për këtë rast, bashkë me policinë janë duke u ndërmarrë veprimet e parapara sipas ligjit që ky rast të zbulohet në plotëni”- thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
KALLXO.com kërkoi informacione mbi motivet e vrasjes, a ka pasur i dyshuari ndonjë vepër penale më parë, kush është prokuror i rastit dhe a lëshuar fletëarrest. Mirëpo prokuroria nuk ka dhënë më shumë detaje.
“Në këtë fazë nuk mund të ofrojmë të dhëna tjera”- thuhet tutje në përgjigjen e prokurorisë.
Më datë 23.09.2024 disa media lokale kanë raportuar se është dorëzuar në polici i dyshuari. KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti i cili ka mohuar një gjë të tillë duke theksuar se nuk ka asnjë risi në lidhje me rastin.
“Deri në këto momente nuk ka asnjë risi në çështjen e personit të kërkuar për veprën penale – Vrasje”- tha Zahiti për KALLXO.com më 23.09.2024.
Policia e Kosovës ka arritur identifikojë dhe ka shpallur në kërkim të dyshuarin për vrasjen në rrugën ‘Fatime Hetemi’ në Mitrovicë të kryer më 20.09.2024.
I dyshuari është Valdrin Salihu i lindur më 11.08.1991.
Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarit.
Një person ka vdekur si pasojë e plumbave të armës së zjarrit që u shkrepën të premten në Mitrovicë të Jugut, 20.09.2024. Viktima vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa në vendin e ngjarjes mbetën gjurmët nga rasti.
F.Z., mbeti i vdekur më 20.09.2024 në Mitrovicë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Një dëshmitar në kushte anonimiteti tha për KALLXO.com se kanë dëgjuar krisma të armës.
“Janë dëgju 6 deri në 7 krisma të alltisë këtu në rrugën ‘Fatime Hetemi’ rreth orës 09:30 të mëngjesit sot” – tha ai.
https://kallxo.com/lajm/te-shtena-ne-jug-te-mitrovices-nje-i-plagosur/