Vrasja në Mitrovicë, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Një rast i rëndë kishte ndodhur paraditen e djeshme në qytetin e Mitrovicës.

I vrarë në këtë rast kishte mbetur V.F., 27-vjeçar, ndërsa ishin plagosur edhe dy persona tjerë të cilët ishin dërguar për trajtim në Spitalin e Mitrovicës.

Prokuroria e Mitrovicës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Sh.A., për vrasjen e cila ka ndodhur dje në tregun e gjelbër.

Pak orë pas ngjarjes Policia kishte njoftuar se kishte arrestuar një person, të dyshuarin Sh.A., për këtë vrasje i cili më pas ishte dërguar në mbajtje.

Personit të dyshuar Sh.A., i ishte ofruar tretman mjekësor, pasi sipas Policisë së Kosovës, edhe ai ka qenë i lënduar.

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënëssi i Prokurorisë, Valon Preteni.

“ Po, Prokuroria e Mitrovicës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Sh.A., nën dyshimin e veprës penale vrasje e rendë e cila ka ndodhur dje në tregun e Mitrovicës “, tha shkurt Preteni.

Policia kishte njoftuar se njëri nga personat e plagosur në këtë rast kishte marrë plagë aksidentalisht.

”Ndërsa në vendin e ngjarjes pas ekzaminimeve të kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë (pistoletë), tri (3) gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Për rastin, nëpërmes një komunikate për media, kanë njoftuar edhe nga Prokuroria e Mitrovicës.

Pos tjerash, Prokuroria thotë se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes.