Vrasja në Llaushë të Skenderajt, Kryeprokurori Lumezi kërkon hetime dhe masa disiplinore ndaj prokurores

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar pas vrasjes së Lirije Qerimajt nga Llausha e Skenderajt dhe për dyshimet për neglizhencën e institucioneve të sigurisë në trajtimin e rastit.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani që t’i shqyrtoj të gjitha veprimet që janë marrë lidhur me rastin e viktimës.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q nga Llausha e Skenderajt dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

“Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave që të shqyrtojë të gjitha veprimet e mbrojtësit të viktimave lidhur me këtë rast dhe nga të gjeturat eventuale të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme”, thuhet tutje në komunikatë.

KALLXO.com raportoi dje viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, dje, më 5 janar. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i viktimës.

Kjo kishte ndodhur për shkak se institucionet kishin qenë në pushim.

“Atë ditë ka qenë e shtunë, mandej ka qenë e diel, e hënë, e martë – festë. Të mërkurën jua përcjellim rastin edhe vazhdoni me kërkesë për urdhër mbrojtje. Unë thashë OK se të mërkurën fillon punën gjykata edha na”, kishte deklaruar për KALLXO.com Hatixhe Latifi nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Mitrovicë.

https://kallxo.com/lajm/thellohet-skandali-i-vrasjes-ne-llaushe-mbrojtesi-i-viktimave-kerkoi-pas-vrasjes-masen-mbrojtese/

Sot gjatë ditës, Policia e Kosovës ka dërguar një komuniaktë të gjatë ka treguar sipas tyre se cilat kanë qenë veprimet që janë ndërmarrë që nga data 1 janar kur viktima Lirije Qerimaj fillimisht kishte raportuar rastin në Polici.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përmes linjës emergjente në Mitrovicë Jugu me datën 01.01.2022 kishte pranuar informacion se në një familje në fshatin Llaushë, kishte ndodhur një mosmarrëveshje familjare dhe pranuar menjëherë ka angazhuar zyrtarët policorë të Skenderajt, të cilët i janë përgjigjur rastit.

https://kallxo.com/lajm/vrasja-ne-llaushe-policia-thote-se-djali-i-viktimes-insistoi-qe-nena-te-kthehet-ne-shtepi/