Fotografi nga lagjja e fshatit Llaushë, ku ndodhi vrasja e 49 vjeçares Foto: KALLXO.com

Vrasja në Llaushë, Inspektorati Policor nis hetim se si u trajtua nga Policia raportimi i dhunës në familje

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për KALLXO.com se ka nisur një hetim preliminar për rastin e raportuar më 1 janar nga Lirije Qerimaj, e cila u vra dje, ndërsa dorasi dyshohet se është burri i saj.

IPK ka thënë se ka kërkuar nga Policia të gjitha shkresat lidhur me trajtimin e rastit dhe veprimeve të zyrtarëve policorë, të cilët kanë trajtuar raportimin e Lirije Qerimajt për veprën penale – dhunë në familje, kundër burrit të saj Skënder Qerimaj.

Të gjitha këto kërkesa IPK thotë se i ka kërkuar në kuadër të autorizimeve ligjore që ka.

Pak orë më parë KALLXO.com raportoi rreth skandaleve të cilat janë bërë gjatë trajtimit të rastit të raportuar fillimisht për dhunë në familje. Ka qenë djali i Lirije dhe Skënder Qerimajt që kishte raportuar në Polici dhunën psikike të babait ndaj nënës dhe e gjitha siç përshkruhet në kërkesën e Prokurorisë ka nisur për shkaqe xhelozie.

Lirije Qerimaj më 1 janar kishte deklaruar se burri i saj vazhdimisht kishte ushtruar dhunë psikike, madje vitin e kaluar e njëjta ishte goditur edhe fizikisht nga burri.

Ajo pas përfundimit të deklarimit kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtje nga ana e institucioneve të sigurisë.

Kërkesa për mbrojtjen e Lirije Qerimajt ishte bërë gjatë ditës së djeshme, pra në ditën e vrasjes. Nuk është raportuar për orën e saktë se kur është bërë kërkesa, ndërsa Hatixhe Latifi nga Zyra për mbrojtjen e viktimave – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Mitrovicë, ka thënë se nga mediat kanë kuptuar se Lirije Qerimaj është vrarë.

Tutje Latifi kishte thënë edhe se për shkak të festave të fundvitit dhe fillimvitit kishte marrë një përgjigje nga Policia në Skenderaj se të mërkurën e kësaj jave do t’i dërgonin shkresat e lëndës dhe më pas të procedohej kërkesa për urdhër mbrojtje.

Gjithashtu Latifi ka përmendur edhe se koordinatorja regjionale për dhunë në familje për shkak të festave ka të drejtë edhe të lëshojë urdhër mbrojtje emergjente deri sa të fillojë punën gjykata.

Mbrojtësja e viktimave Hatixhe Latifi përmendi edhe faktin se Policia nuk ka gjetur indikacione të qarta se rasti mund të përfundonte rëndë.

“Unë ju thash që ka qenë mirë pasi është vikend, por drejt me t’ thanë se në shikim të parë s’ju ka dok rast shumë i randë, se veç dhunë psikike, as s’ka pas lëndime, as s’ka kërku trajtim mjekësor. U kthy në shpi, se kaniher i kena do raste shumë të rënda”, theksoi ajo.

Se nuk ka pasur ndonjë indikacion që ngjarja mund të kthehej në tragjedi e potencon edhe komandanti i stacionit policor në Skenderaj, Muhamet Kajtazi për KALLXO.com.

“Sipas kërkesës së saj, urdhri mbrojtës ka mbetur me u marrë nga autoriteti i Qendrës për Punë Sociale dhe ashtu ma ka interpretu mua policja situatën, kaq di. Pasi ka qenë rasti i parë i raportuar për dhunë në familje, kanë qëndruar në njëfarë mënyre sikur mu pajtu, kanë dhënë indikacione që nuk e përsërisin ashtu qysh e kuptova nga policët, ka ndodhur një herë po nuk ndodh më sepse viktima vetë në deklaratë ka thënë se më ka rreh në qershor një herë po nuk e kam raportu se diqysh si me kanë i smutë burri”, tha tutje Kajtazi për KALLXO.com.

Ai nuk pranoi që të japë informacione për zyrtarët policorë që kishin trajtuar rastin e raportimit të Lirije Qerimajt në Polici më 1 janar.

Gjatë ditës së djeshme, rreth orës 13:40 dyshohet se është vrarë Lirije Qerimaj nga bashkëshorti i saj Skender Qerimaj.

Qerimaj dyshohet se pasi kishte kryer aktin është dorëzuar në polici dhe ka treguar se ka vrarë bashkëshorten e tij ndërsa kishte dorëzuar edhe armën e tij me një karikator dhe tre fishekë.

Arma sipas prokurorisë ka qenë pa leje dhe e njëjta është konfiskuar.

Në një dokument që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Lirije Qerimaj ishte gjetur e shtrirë në tokë Brenda shtëpisë familjare me bashkëshortin dhe kishte qenë e plagosur. Ajo më pas kishte ndërruar jetë nga plagët e marra prej armës.

Më datë 1 janar Lirija së bashku me bashkëshortin dhe djalin ishin marrë në pyetje nga Policia e Stacionit policor në Skenderaj.

Kjo për shkak se e njëjta kishte deklaruar se kishte pasur dhunë psikike nga bashkëshorti. Rasti ishte iniciuar si dhunë në familje ndërsa prokurorja kujdestare Stojanka Kasaloviq kishte vendosur që të dyshuarin ta lironte në procedurë të rregullt.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar edhe se rasti i vrasjes së rëndë të Lirije Qerimajt i është ndarë prokurores së krimeve të rënda në Mitrovicë, Fetije Bajrami.

Thellohet skandali i vrasjes në Llaushë, mbrojtësi i viktimave kërkoi pas vrasjes masën mbrojtëse