Fotografi nga lagjja e fshatit Llaushë, ku ndodhi vrasja e 49 vjeçares Foto: KALLXO.com

Vrasja në Llaushë, gruaja raportoi rastin pesë ditë më herët, flet Kryeprokurori i Mitrovicës

Një grua 48-vjeçare është vrarë mbrëmjen e kaluar në fshatin Llaushë të Komunës së Skenderajt. Personi i dyshuar për këtë vrasje është bashkëshorti i saj 51 vjeçar.

KALLXO.com raportoi sipas burimeve se gruaja e kishte raportuar burrin e saj pesë ditë më herët ndërsa ky i fundit ishte liruar në procedurë të rregullt.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani i cili dha detaje të rastit dhe intervistimit.

Ai konfirmoi se gruaja e vrarë, burri i saj dhe djali i tyre ishin intervistuar nga policia më datë 1 janar.

“Kontaktova me policinë në Skenderaj, sipas tyre janë dëgjuar palët dhe është dëgjuar edhe një djalë i tyre, djali i rritur dhe dosja komplet e rastit pritet me u dorëzu në prokurori, kam kërkuar me u dorëzu më shpejtë. Policia më konfirmoi se janë dëgjuar herën e parë kur ka ndodh me datën 1, siç më lajmëruan”, tha kryeprokurori Ujkani në një  bisedë për KALLXO.com.

Tutje Ujkani shtoi edhe se ndaj të dyshuarit dhe viktimës nuk ka pasur ndonjë rast tjetër të raportuar.

“Paraprakisht policia më tha se nuk ka pasur ndonjë rast tjetër, ky ka qenë hera e parë, nuk janë njohur si familje që kanë pasur ndonjë rast më herët”, tha tutje Ujkani për KALLXO.com.

I pyetur në lidhje me veprimet e policisë dhe njoftimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ujkani thotë për KALLXO.com se ishte njoftuar prokurorja kujdestare.

“Sipas tyre e kanë njoftuar edhe prokurorinë, mbetet të shihet tash se çka ka në lëndën e tyre e cila pritet shpejtë të dorëzohet në prokurori”, tha tutje Ujkani.

Të mërkurën, KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin e vrasjes së një gruaje në fshatin Llaushë të Komunës së Skenderajt.

48-vjeçarja L.Q. gjeti vdekjen nga arma të cilën dyshohet se e shkrepi bashkëshorti i saj Skender Qerimi.

51-vjeçari Skender Qerimi është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa nga policia është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishekë, kurse në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 5 janar rreth orës 13:40.

Skender Qerimi me urdhër të Prokurorisë së Mitrovicës është ndaluar 48 orë.

Vrasja në Llaushë – Viktima e kishte lajmëruar rastin në Polici 5 ditë para se të vritej, i dyshuari ishte lënë i lirë