Vrasja në Klinë, Policia vendos pika statike në fshatin e familjes së viktimave dhe të dyshuarit
Dy persona kanë vdekur pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Klinës më 13.11.2024. Për këtë rast i dyshuar është një person, J. H. dhe i njëjti është në ndalim për 48 orë dhe Prokuroria e Pejës është duke përpiluar kërkesën për caktimin e paraburgimit.
Sipas informacioneve që ka marrë KALLXO.com lidhur me këtë rast nga Prokuroria e Pejës është konfirmuar se kanë vendosur pika statike të policisë në fshatin ku gjenden të dy familjet me qëllim të mos përshkallëzimit të situatës më tutje.
“Prokurori i çështjes e ka vlerësuar që në fshatin përkatës ku gjenden edhe familja e viktimës dhe personit të pandehur të vendosen pika satike nga Policia e Kosovës si masa për të mos u përshkallëzuar situata”- ka thënë Shkodran Nikçi nga Prokuroria e Pejës.
Nikçi tutje konfirmoi për KALLXO.com se prokuroria janë duke punuar për përpilimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Për rastin që ndodhi dje më 13.11.2024, para mediave u deklaruan prokurorja e Prokurorisë së Pejë, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.
Sipas njoftimit policor, në vendin e ngjarjes për këtë rast është sekuestruar një revole, një karikator, katër fishekë dhe tri gëzhoja.
Të pyetur se cilat janë motivet e këtij rasti tragjik, prokurorja dhe drejtori i Policisë thanë se ende nuk dihet se çka çoi te ky rast.
Shala deklaroi se viktimat dhe i dyshuari janë të rinj në moshë.
“Ende është herët, nuk kemi informacione se cilat janë motivet” – kishte thënë ai.
Në anën tjetër, prokurorja Gashi kishte deklaruar dje se janë duke mbledhur prova dhe janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes.
“Trupat e viktimave është urdhëruar që të dërgohen për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë” – kishte theksuar prokurorja.
Tutje ajo kishte shtuar se detajet e tjera do të bëhen publike ditëve në vijim duke thënë se është shumë herët për të dhënë çfarëdo mendimi apo konstatimi për motivet.