Ilustrim

Vrasja në Gjilan, Prokuroria: 17 plumba u shkrepën në drejtim të viktimës

17 plumba janë shkrepur mbrëmë në drejtim të 50-vjeçarit B.V., i cili u ekzekutua në një kafiteri në qendër të Gjilanit.

Kështu thuhet në dosjen e Prokurorisë së Gjilanit për këtë rast.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë në të cilën ka paraqitur faktet dhe provat që posedojnë për tre persona tashmë të dyshuar për vrasjen e cila ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00.

“Dy të pandehur kanë dalë nga makina të armatosur me armë zjarri më saktësisht revole, arrijnë te vendi i ngjarjes dhe me një largësi prej rreth gjysmë metri njëri nga të dyshuarit shtien me armë 8 fishekë ndërsa i pandehuri tjetër e godet me këtë rast tashmë të ndjerin me 9 fishekë në pjesët vitale të trupit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Tutje kërkesa e paraburgimit për tre të dyshuarit thotë se e gjithë vrasja ka qenë e parapërgatitur nga tashmë të arrestuarit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, tre të dyshuarit F. O., G.B., dhe I.V., mbrëmjen e kaluar rreth orës 19:45 pas një përgatitjeje paraprake dhe në bashkëveprim kishin shkuar në lokalin ku gjendej viktima dhe kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Prokuroria ka konstatuar se të dyshuarit kanë vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë të cilët ishin bashkë me viktimën.

Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy revole ndërsa sipas të dhënave të hetuesisë, viktima është qëlluar me më shumë se 10 plumba.

Viktima B.V. pas këtyre plagëve sipas dosjes së Prokurorisë vdes në vendin e ngjarjes ndërsa të dyshuarit pasi që dyshohet se kanë kryer vrasjen janë larguar me veturë të tipit “Audi” në drejtim të shtëpive të tyre.

KALLXO.com raportoi në lidhje me vrasjen që ka ndodhur mbrëmë në qendër të Gjilanit brenda një kafeneje.