Vrasja në Fushë Kosovë, Prokuroria jep detaje

Një burrë 41-vjeçar është vrarë mbrëmë në rrugën Pjetër Budi në Fushë Kosovë.

Lidhur me rastin, në orët e para të ditës së sotme Policia e Kosovës ka arritur të arrestoj dy persona të dyshuar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy persona, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja”, sipas KPRK-së. Të njëjtit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit”- tha Ulaj.

Tutje, Ulaj tha se me urdhër të prokurorit është sekuestruar mjeti i mprehtë (thika), e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.

“Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij akti”- shtoi ajo.

Ngjarja kishte ndodhur dje, 12 shkurt 2023, kur rreth orës 22:00 zyrtarët policor kishin marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor.

Siç njoftohet, në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore.

Aty ishte hasur në tashmë viktimën A. H., i cili ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës.

Nga aty, sipas Policisë, është marr edhe informata se personi i lënduar nuk ka arritur që t’i përballoj plagët dhe ai ka vdekur.

Pas kësaj, ekipet policore kanë filluar hetimet e tyre të cilat kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarve gati 3 orë e gjysmë pas ndodhjes së rastit, pra rreth orës 01:30.

Vrasja në Fushë Kosovë, arrestohen dy persona