Foto: KALLXO.com
Vrasja në Ferizaj, Reka: Polici ishte jashtë detyrës zyrtare, vrasja u krye me armë zyrtare
Një rast tragjik ka ndodhur sonte, më 16.08.2024, në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Një person është vrarë me armë zjarri në oborrin e një salle dasmash.
Dorasi dyshohet se është një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Qazim Reka, tha se polici që dyshohet se e kreu vrasjen ishte jashtë detyrës zyrtare.
“Ai ishte jashtë detyrës zyrtare, ishte me rroba civile dhe me veturë civile” – tha Reka në një konferencë për media të premten vonë.
Megjithatë, zëvendësdrejtori Reka tha se vrasja është kryer me armën zyrtare.
“Po, vrasja është kryer me armë zyrtare, armë e gjatë“ – tha ai.
Rasti tragjik ka ndodhur rreth orës 19:30 në oborrin e një salle dasmash.
Sipas Rekës, polici i dyshuar nuk ishte pjesë e dasmës.
Viktima, siç mëson KALLXO.com është S. Sadriu.
Ndërsa, polici i dyshuar është F.R.
Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari për vrasjen në Bibaj është ndaluar për 48 orë.