Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Vrasja në Ferizaj, reagon presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me lajmet e publikuara në portale të ndryshme, të cilat kanë pretenduar se ajo ka qenë në dijeni për një mosmarrëveshje ndërmjet familjes së dorasit të rastit të mbrëmshëm dhe viktimës, S. Sadriu, i cili është axha i bashkëshortit të saj.

S. Sadriu është personi që u vra mbrëmë, më 16.08.2024, në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt.

Autori i dyshuar i këtij akti është F. Ramadani, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

E presidentja Vjosa Osmani ka reaguar sot, më 17.08.2024, ndaj pretendimeve se ajo dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, kanë qenë në dijeni të një rasti që mund të ketë qenë motivi i vrasjes së mbrëmshme.

Presidentja tha se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kan pasur asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme.

Vjosa Osmani tha se i ka njoftuar institucionet e sigurisë dhe është në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore ndaj asaj që ajo e quajti “propagandë“.

“Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera” – ka shkruar presidentja në profilin e saj në Facebook.

Sipas presidentes, ndërlidhja e emrit të saj dhe të bashkëshortit të saj me rastin e të premtes në mbrëmje kanë për qëllim rrezikimin e jetës së saj dhe të familjes.

“Kjo lidhje e rrejshme  dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi” – thekson presidentja.

Ky është reagimi i plotë i presidentes Vjosa Osmani:

Reagim ndaj propagandës

Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera.

I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi.

Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë.

Kjo lidhje e rrejshme  dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi. 

Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë.

Në parkingun e një salle ahengjesh një person është vrarë më 16.08.2024 ndërsa deri më tani janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Dorasi i vrasjes dyshohet se është një zyrtar policor i cili sipas zëvendësdrejtorit të Policisë në Ferizaj, Qazim Reka, u dorëzua në Polici e krimi ishte kryer me armë zyrtare.

Pak para mesnatës, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ishte arrestuar edhe një person tjetër i përfshirë në vrasje të rëndë.

IPK nuk ka dhënë detaje se cili ishte roli i personi të dytë në këtë ngjarje por edhe ky u dërgua në ndalim me urdhër të prokurorit.

Pas arrestimit në lidhje me vrasjen e S. Sadriut në Bibaj të Ferizajt, zyrtari policor F. Ramadani dhe një person tjetër për të cilin KALLXO.com mëson se është i afërm i policit, nuk janë deklaruar para hetuesve të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë, pra janë mbrojtur në heshtje.

Kurse, shefi i ndërrimit të Policisë në Ferizaj është suspenduar nga detyra pas ngjarjes tragjike që u shënua në Bibaj të Ferizajt.

Ndonëse jo i përfshirë në rast, suspendimi erdhi pasi i njëjti nuk ka menaxhuar mirë zyrtarët policorë të tij.

KALLXO.com ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e një burri.

Në vendin e ngjarjes policia kishte rrethuar perimetrin e sigurisë ndërsa dasmorët të cilët ishin ftuar në dasmë nuk flisnin shumë për ngjarjen e tragjike që kishte ndodhur.

Pak metra larg objektit ku do të mbahej ahengu familjar, zyrtari policor F. Ramadani dyshohet se privoi nga jeta S. Sadriun.

F. Ramadani sipas zëvendësdrejtorit Reka ishte jashtë detyrës zyrtare në mbrëmjen që dyshohet se kreu krimin ndërsa përdori armën zyrtare, armë e gjatë.

Polici i dyshuar nuk ishte pjesë e ahengut por dyshohet se shkoi atje për të kryer vrasjen.

“Lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj i cili është raportuar sot në orët e mbrëmjes është arrestuar edhe një i dyshuar. Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e IPK-së, më 16.08.2024 në orën 23:50.

Para këtij njoftimi ata zyrtarisht kishin njoftuar edhe për arrestimin e policit.

“Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë”- thuhet në njoftimin e IPK-së të datës së njëjtë në orën 22:51.

Polici sipas IPK-së pas kryerjes së veprës penale ka shkuar dhe është vetëdorëzuar në stacionin policor të Ferizajt, ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.