Foto: KALLXO

Vrasja në Dumnicë të Podujevës, dëshmuan djali i viktimës dhe 3 dëshmitarë të tjerë

Në gjykimin ndaj Besnik Salihut, i cili nga Prokuroria po akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij S.S., vrasje e cila ka ndodhur në Dumnicë të Podujevës më 2023, në seancën e 27.12.2024 janë dëgjuar 4 dëshmitarë.

Besnik Salihu po akuzohet për vrasje të rëndë dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa i akuzuar në këtë rast është edhe vëllai i tij, Ilaz Salihu, i cili po akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale – vrasje e rëndë.

Sipas Prokurorisë, S.S. ishte vrarë në mënyrë dinake, pas një mosmarrëveshjeje paraprake që kishte pasur me Besnik Salihun.

I pari që dha dëshminë e tij në seancën e së premtes ishte Agron Salihu, i biri i të ndjerit S.S.

Dëshmitari Agron Salihu dha versionin e tij lidhur me ngjarjen kritike. Ai deklaroi se jeton në Austri ndërsa ngjarjen kritike e kishte kuptuar nga vëllai i tij, Ramadan Salihu.

Dëshmitari tutje tha se pasi që kishte biseduar me vëllanë e tij, i kishte telefonuar motrës e cila kishte qenë në vendin e ngjarjes, dhe ajo i kishte treguar që pranë të ndjerit nuk kishte parë armë.

Në pyetjen se si kanë qenë raportet mes familjes së tij dhe familjes së të akuzuarit dëshmitari Salihu tha se i akuzuari Besnik Salihu nuk i kishte folur që disa vite.

“Besniku nuk më ka folë që nga viti 2015. Nuk e di arsyen. Ne jemi rritë bashkë, kemi qenë një gjeneratë, asgjë nuk i kena bë të keqe as Besnikut, as familjes tij, dhe nuk e di nga ka ardhur urrejtja ndaj neve”- deklaroi dëshmitari Agron Salihu.

I akuzuari Besnik Salihu pyeti dëshmitarin Agron Salihu se a e kishte dëmtuar ndonjëherë  atë apo familjen e tij. “Jo asnjëherë nuk më ka dëmtuar, dhe nuk më kujtohet që ka thënë ndonjëherë  fjalë të këqija”- u përgjigj dëshmitari Salihu.

I akuzuari Besnik Salihu e pyeti dëshmitarin se a kishin qenë të kërcënuar viteve të fundit nga grupet e ndryshme. Ndërsa, lidhur me këtë dëshmitari Salihu u përgjigj duke thënë se nuk kanë qenë ndonjëherë të kërcënuar dhe nuk kanë pasur problem me askënd.

Tutje dëshminë e ka dhënë edhe dëshmitari Fadil Hyseni, i cili tha se me të ndjerin S.S. njihej nga koha e luftës.

Lidhur me ngjarjen kritike, dëshmitari Hyseni tha se e kishte marrë vesh nga djali i të ndjerit, Ramadan Salihu, i cili e kishte thirrur në telefon dhe i  kishte treguar për vrasjen e babait të tij.

Dëshmitari Hyseni deklaroi se pastaj e kishte thirrur ndihmën e shpejtë dhe Policinë, dhe kur kishte arritur te vendi i ngjarjes e kishte gjetur të ndjerin S.S. të shtrirë në tokë.

Në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, se a ka njohuri nëse i ndjeri S.S. kishte pasur problem më dikë, dëshmitari tha se “vetëm një rast më ka tregu që disa familjarëve ia ka dhënë një livadh me kositë, me siguri këtyre të akuzuarve, dhe i kam thënë vetëm me ma pastru, mirëpo të njëjtit nuk e kanë pastru. Qajo mosmarrëveshje ka qenë, kjo i ka 3-4 vite”.

Tutje dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari Ahmet Menxhiqi, i cili tha se në ditën kritike më 26.03.2023 ishte takuar me të ndjerin S.S.

“Atë ditë ka qenë ditë e diel, rreth orës 10:00, e kemi lënë takimin për me shku në pazar të kerreve në Prishtinë, kemi nejtë deri 14:00-15:00. Jemi kthy në shtëpi, kemi ardhë rrugës u anku që po i dhem kryet, në Llozhan e kemi ndal kerrin, e ka ble nje paracetamol e ka pi”- tha dëshmitari Menxhiqi.

Dëshmitari Menxhiqi deklaroi se pasi e kishte marrë vesh për ngjarjen kishte shkuar te vendi i ngjarjes, vendi kishte qenë i rrethuar nga Policia.

Dëshminë e ka dhënë edhe Leonard Salihu, i cili është edhe vëllai i të akuzuarve.

Ai deklaroi se kur e kishte dhënë deklaratën e tij në Polici kishte qenë i kërcënuar nga zyrtarët policorë.

“Policia më kanë kërcënu me jetë. “Ki me fol qeshtu!”. Ma kanë ngjitë për fyti. “Ti e din që jemi zyrtarë policorë‘.” – tha dëshmitari Leonard Salihu.

Dëshmitari deklaroi se për vdekjen e S.S. e kishte marrë vesh nga mediat.

Në pyetjen se a kishin qenë të gjithë familjarët në shtëpi në ditën kritike, dëshmitari Salihu tha se kishin qenë në shtëpi të gjithë, përveç nënës së tij, e cila kishte qenë të një familjare e saj.

Dëshmitari Salihu deklaroi se të ndjerin S.S. e kishte parë disa herë në fshatin Dumnicë, dhe i njëjti kishte qenë i armatosur.

Pasi që ishte përfundimi i orarit të punës dhe kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, kishte një angazhim tjetër me një çështje penale tjetër, seanca u ndërpre.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për në muajin shkurt 2025.

Kjo çështje penale po gjykohet nga Alban Ajvazi- kryetar dhe anëtarët Gent Beka dhe Gazmend Bahtiri.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për vrasjen?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, e cila është ngritur më 26.01.2024, Besnik Salihu akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, kurse vëllai i tij akuzohet si i kishte dhënë ndihmë Besnikut për ta kryer veprën penale.

Sipas dosjes, Besnik Salihu më 26.03.2023 në fshatin Dumnicë të Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe viktimës në mënyrë dinake papritur i është afruar tashmë të ndjerit për ta privuar nga jeta.

Me të afruar afër tij, sipas Prokurorisë, Besnik Salihu e kishte qëlluar dy herë me pistoletë në kokë viktimën. Pasi ka qëlluar dy herë në kokë të ndjerin, Besnik Salihu ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa vëllai i tij, që akuzohet për dhënie të ndihmës për kryerjen e veprës penale, sipas Prokurorisë, i kishte premtuar të akuzuarit se do t’i ndihmonte për t’i zhdukuar provat e rastit.

Sipas Prokurorisë, ndihma që i ka dhënë Ilaz Salihu vëllait të tij, Besnikut, konsiston në këshilldhënien, duke e udhëzuar që pas kryerjes së aktit t’i asgjësonte rrobat.