Foto-ilustrim

Vrasja në Dragash, kërkohet paraburgim për gruan që dyshohet se goditi për vdekje kunatën

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar paraburgim për N.A nga fshati Kuk i Dragashit, e cila dyshohet se e ka goditur me shkop druri kunatën e saj 67-vjeçare.

Sipas Prokurorisë, e pandehura N.A. me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes – motrën e bashkëshortit të saj, me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare.

Rasti thuhet të ketë ndodhur me datë 23 dhjetor 2022, rreth orës 10:00, derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë, ku e pandehura e ka goditur.

“E pandehura me anë të një shkopi prej druri të modifikuar e godet disa herë viktimën në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij  lëndimi e njëjta ka ndërruar jetë me datë 26 dhjetor 2022, rreth orës 05:30” – sqarohet në njoftimin e Prokurorisë.

N.A. po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Me urdhër të prokurorit N.A. është ndaluar për 48 orë.

E dyshuara ka pranuar para Policisë se e ka goditur për vdekje kunatën 67-vjeçare.

Për KALLXO.com lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi.

Togeri Bytyqi ka thënë se pas ballafaqimit me prova e dyshuara N.A. ka pranuar se e ka goditur me mjete të cilat më pas i ka fshehur.

“Lidhur me rastin në fjalë, pas kryerjes së ekzaminimit mjekoligjor të trupit të pajetë të viktimës nga IML, policia ka vazhduar hetimet. Është riintervistuar kunata e viktimës në cilësinë e të dyshuarës, e cila pas ballafaqimit me prova të reja e ka pranuar se ka kryer vrasjen dhe mjetet me të cilat e ka kryer vrasjen i ka fshehur” – ka konfirmuar Bytyqi.

Policia tutje ka bërë të ditur se po ashtu janë sekuestruar dëshmi te reja.