Vrasja në Deçan, Prokuroria e Apelit përjashton Prokurorinë e Pejës për "njëanshmëri"

Gjykimi i Shaban Gogajt për vrasjen e Agonis Tetajt do të vazhdojë në Gjykatën e Pejës ndërsa aktakuzën do ta përfaqësojë Prokuroria e Gjilanit.

Aktakuza qe ngarkon Shaban Gogaj për vrasje të punëtorit në lokalin e tij është ngritur nga Prokuroria e Pejës, por kjo e fundit me vendim të Prokurorisë së Apelit është përjashtuar nga kjo çështje penale.

Sipas burimeve të KALLXO.com, Prokuroria e Apelit ka caktuar Prokurorinë Themelore të Gjilanit të përfaqësojë lëndën në fjalë.

Kjo Prokurori e ka vlerësuar si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha, i cili ka pretenduar se Prokuroria e Pejës ka treguar njëanshmëri.

Sipas aktakuzës më 23 shtator të vitit të kaluar rreth orës 11 në Deçan, më saktësisht në Kompaninë “Gogaj AG” e cila gjendet në rrugën “Luan Haradinaj” Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z..

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të përfunduar i akuzuari kalon nga karrigia e anës së majtë të banakut  në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”. Më pas ai e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë.