
Vrasja në 'Cobra City', japin dëshminë 4 dëshmitarë
Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar edhe sot më 11.02.2025 gjykimi në lidhje me vrasjen e rëndë në lokalin “Cobra City”, në Prizren, më 2023-tën. Në këtë seancë ka dhënë versionin e ngjarjes 4 dëshmitarë.
Të akuzuarit në këtë rast janë: Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj, të cilët u paraqitën sërish në Gjykatën e Prishtinës, më 11.02.2025.
Ndaj Dibran Hoxhës rëndon akuza për vrasjen e rëndë të viktimës V. C. Kurse, katër të akuzuarit e tjerë akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”, “manipulim me prova” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Para së të fillonte dëshminë dëshmitari i parë, kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi bëri të ditur se këta dëshmitarë kanë bërë kërkesë që të kufizohet incizimi i seancës, vetëm prezantimi me iniciale dhe deklarim. Këtë kërkesë të dëshmitarëve nuk e kundërshtoi as prokuroria e as mbrojtësit e të akuzuarve andaj edhe gjykata e aprovoi.
“Dëshmitarët kanë pas kërkesë te kryetari i trupit gjykues që seanca të mbahet pa kamera për shkak të rrethanave të tyre personale dhe familjare. Shqyrtimi gjyqësor është i hapur për publikun. Kufizohet incizimi i dëshmitarëve me videoincizim dhe prezantimi i tyre në media. Mund të bëhet vetëm prezantimi me iniciale dhe deklarim”– tha gjyqtari Kujtim Krasniqi.
Në seancën gjyqësore të së martës më 11.02.2025, fillimisht ka dhënë dëshminë dëshmitarja A. H., e cila gjatë dëshmisë së saj rrëfeu se më datë 02.01.2023 kishte qenë duke punuar në “Cobra City” dhe punën në këtë lokal e kishte filluar një muaj më herët para ngjarjes. Në lokal kishte punuar si balerinë.
Në pyetjen e prokurores Merita Bina- Rugova: “A po të kujtohet a ka pas ndonjë problem atë natë”?, dëshmitarja A. H. u përgjigj se “nuk kishte parë asgjë”.
“Nuk kam parë përleshje që ka pas. Jemi fshehur në kuzhinë derisa Policia na kanë qit jashtë, sen nuk di më tepër”– tha A. H.
Ajo rrëfeu se atë natë ishin fshehur së bashku me vajzat e tjera brenda në kuzhinë dhe ishte rrëzuar aty dhe e kishin lënduar enët, ndërsa Dibran Hoxhën e kishte parë vetëm në një moment kur i kishin nxjerrë policia nga kuzhina pasi ai kishte qenë së bashku me policinë.
Tutje theksoi se krisma të armëve nuk kishte dëgjuar por kishte dëgjuar vetëm zhurma të karrigeve. Ndërsa nga aty i kishte nxjerrë policia, mirëpo e njëjta tha se ‘askënd nuk e kam pyetur se çfarë po ndodh”, sepse kishte pasur këmbën të lënduar për këtë arsye e kishte thirrur bashkëshortin e saj V. D. dhe i njëjti kishte ardhur e kishte marrë dhe pastaj e kishte dërguar në spital.
“Natën vonë kur ka ardhur Dibrani a i ke parë revole në dorë” – e pyeti avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj.
“Jo nuk kam parë kurgjo”- tha dëshmitarja A. H.
Dëshminë në seancën e sotme e ka dhënë edhe bashkëshorti i dëshmitares A. H., V. D., i cili rrëfeu se kishte qenë në banesë ndërsa bashkëshortja e tij kishte qenë në punë. Ai theksoi se në ditën kritike e kishte telefonuar gruaja dhe i kishte thënë hajde më merr dhe ai kishte shkuar e kishte marrë, dhe pastaj e kishte dërguar në spital pasi që e kishte pasur këmbën e lënduar dhe pastaj kishin shkuar në banesë. Ndërsa me Dibranin nuk kishte folur pasi ai kishte qenë duke biseduar me policinë.
“Me Dibranin nuk kam folur sepse ka qenë duke biseduar me policë”– tha dëshmitari V. D.
Ndërsa në pyetjen e prokurores Merita Bina- Rugova “A ke kërkuar prej B. H. videoincizime më herët?”.
Përgjigjja e dëshmitarit V. D. ishte kjo: “Jo personalisht unë jo”.
Po ashtu në seancën e sotme dha dëshminë edhe dëshmitari B. H., i cili tha se në ditën kritike rreth orës 05:00 kishte pranuar dy telefonata (të ndryshme), e para problem telefoni apo rrjeti nuk kishte pas mundësi me kuptu se çka po ndodh, afërsisht të njëjtën kohë telefonata e dytë kishte qenë më e kjartë për t`u dëgjuar.
“Nuk e di kush më ka thirr veç e mbaj në mend që më kanë thënë jemi kafja përballë jush. Kam qenë i përgjumur u zgjova. Nëse nuk gaboj më kanë thënë jemi t`kafes “Cobra City”, kojshia përballë. Unë i thash mos gabim se përball vendit ku punojmë ne s’ka përballë vetëm një pllac që shet dru”– tha dëshmitari B. H.
Personi i cili e kishte telefonuar i kishte thënë se dëshirojnë me i pa kamerat sepse ju ka ndodh një problem në lokal.
Një nga pyetjet të cilat ja drejtoi prokurorja Merita Bina- Rugova ëtij dëshmitari ishte, se: “A ke pas kontakte me dikë nga të pandehurit?”.
Përgjigjja e tij ishte se:“Asnjëherë në jetë, as para rastit, as pas rastit. Vetëm Dibranin si figurë nga rrjetet sociale”– tha dëshmitari B. H.
Ndërsa dëshmitarja tjetër i cila dha dëshminë sot ishte edhe M. J., e cila në fillim të dëshmisë së saj tha se e kishte pasur Dibran Hoxhën punëdhënës dhe në lokalin e tij kishte punuar si valltare.
“Po e kam pas pronar. Kam punuar si valltare. Kam punuar vetëm me sezona sepse unë jetoj në Zvicër dhe kam punuar 3 muaj varësisht nga sezona verës apo për vit të ri. Disa sezona kam punuar në “Cobra City, diku 3 apo 4 vite” – tha dëshmitarja M. J.
Ajo gjatë dëshmisë së saj po ashtu rrëfeu se ishin fshehur në një zyre në cilën i kishin disa enë dhe aty kishin qëndruar të gjitha vajzat për 30 minuta, ndërsa gjatë qëndrimit aty kishin dëgjuar të bërtitura dhe të shara.
Ajo tutje theksoi së sa herë që ajo kishte punuar aty kamerat nuk kishin funksionuar. Pas kësaj përgjigjeje të dëshmitares prokurorja e ballafaqoi dëshmitaren me deklaratën të cilën e kishte dhënë në prokurori, ku e njëjta kishte thënë: “Po ka pas kamera po atë natë nuk e kam parë a ka qenë e fikur nuk e di a kanë funksionuar atë datë”. Pas ballafaqimit me këtë deklaratë të dhënë në prokurori të dëshmitares ajo tha e saktë është për shkak se unë jam pyetur vetëm për atë natë.
Tutje gjatë dëshmisë së saj tha se nga ai vend ku ishin fshehur kishte dalur pasi kishte ardhur policia dhe Dibrani (Hoxha), ndërsa krisma të revoles nuk kishte dëgjuar vetëm sharje dhe fyerje.
I akuzuari Dibran Hoxha pati pyetje për këtë dëshmitare.
“Kur ja u kom nda bakshishin a keni vërejtur egërsirë prej meje, a kam qenë i qetë?”– e pyeti i akuzuari Hoxha.
“I qetë ka qenë, por ka qenë nervoz sepse ishte thyer lokali”– tha dëshmitarja M. J.
“Kur jam futur në zyrë a më keni parë revole apo diçka?”– ishte pyetja tjetër e të akuzuarit Dibran Hoxha.
“Jo nuk kom pa”– tha dëshmitarja M. J.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje penale pritet të mbahet më datë 13.02.2025, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.
Kujtojmë se të akuzuarit në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur, më 07.03.2024 nuk kishin pranuar fajësinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues: Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe Vesel Ismaili, anëtarë.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Merita Bina- Rugova.
DOSJA E PROKURORISË
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V. C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të tij “Cobra City”, në Prizren.
Sipas Aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit – sipas Dosjes – kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Dibran Hoxha – Kobra, i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Kështu, në Dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment. Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.
Më pas, Dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V. C., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në Spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë, Prokuroria e ngarkon me veprat penale: “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.
Raportimet e KALLXO – LINK .