Vrasja në 'Aktash', Haxhiu: E papranueshme që kriminelët të tolerohen nga sistemi i drejtësisë 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar për rastin e vrasjes së një personi dhe plagosjes së disa të tjerëve në lagjen “Aktash” të Prishtinës më 01.09.2024, duke thënë se institucionet përkatëse duhet të mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre dhe se sipas saj, “është e papranueshme që grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë.”

“Për mua është e papranueshme që kriminelët, gruet kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo të tentojnë  të sfidojnë ligjin dhe të konsiderojnë që janë mbi ligjin dhe mbi shtetin”- ka deklaruar Haxhiu në një konferencë për media më 02.09.2024.

E para e drejtësisë i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që të kryjnë detyrat me përgjegjësi dhe “që të mos lejohen veprime të tilla nga grupe kriminale.”

Sipas saj  në këtë rast janë rrezikuar edhe qytetarët.

“Në këtë rast  janë rrezikuar edhe qytetarët e pafajshëm, sepse ne i kemi parë xhirimet dhe videot të cilat kanë qarkulluar  prandaj është e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata të cilët nuk e kryejnë  detyrën që kanë”- ka thënë Haxhiu. 

Dy familje, Sekiraqa e Gashi po dyshohet se u përfshinë në ngjarjen e cila u regjistrua rreth orës 22:00 më 01.09.2024, në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash në Prishtinë.

Siç e ka konfirmuar për KALLXO.com kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ngjarja dyshohet se është vazhdimësi e një rasti paraprak, më konkretisht e një konflikti që ka ndodhur muaj më parë.

Në këtë konflikt që kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2024, Pajtim Gashi kishte mbetur i plagosur ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Shkumbin Sekiraqa. Ky i fundit tashmë ka një aktakuzë e cila është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28.08.2024.

Në disa pamje, të cilat i ka parë KALLXO.com, shihen dy persona me një motor me katër rrota deri sa gjuajnë në drejtim të një personi tjetër. Viktima i ishte kundërpëgjigjur sulmit me një armë të gjatë të tipit kallashnikov.

 I njëjti nga plagët e marra nga sulmi ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa vetëm disa orë më vonë trupi i tij ishte dërguar për obduksion. 

Një pjesë e rrugës “Gazmend Zajmi” edhe mëngjesin e datës 02.09.2024 ka qenë e mbyllur me shirita të policisë dhe nuk lejohej qarkullimi. Një numër i madh i provave janë evidentuar dhe të njëjtat kanë vazhduar të jenë në vendin e ngjarjes edhe në orët e mëngjesit të datës 02.09.2024.

KALLXO.com raportoi detaje tjera lidhur me rastin:

Vrasja në ‘Aktash’, sekuestrohen dy pistoleta në vendin e ngjarjes