Vrasja në AKI, mbrojtja kundërshton provat e Prokurorisë
Në gjykimin e Valon Iberdemajt, i akuzuar për vrasjen e punëtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Isa Sejdiu, u paraqitën kundërshtimet për provat e Prokurorisë.
Kundërshtimin e paraqiti me shkrim avokati mbrojtës, Besnik Berisha.
Fillimisht, prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, kërkoi 10 minuta për t’u përgjigjur në këtë kundërshtim.
Megjithatë, me arsyetimin se kundërshtimi i provave ishte voluminoz, ai kërkoi nga gjykatësja që ta shtyjë seancën për t’u përgjigjur me shkrim lidhur me kundërshtimin e provave.
Gjykatësja e rastit tha se seanca e radhës do të caktohet pasi të shqyrtojë kundërshtimin e provave dhe përgjigjen në këtë kundërshtim.
Valon Iberdemaj akuzohet se me datën 4 shtator 2018 rreth orës 09:15 min, në bufenë e objektit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në Prishtinë, kishte vrarë tani të ndjerin Isa Sejdiu.
Sipas prokurorisë, vrasja kishte ndodhur pasi që tani i ndjeri Isa Sejdiu, një ditë para vrasjes gjatë kohës së pauzës kishte bërë shaka me kolegët e tij, duke u thënë se do të bëhej i madh pasi që atë ditë pritej të emërohej Zëvendësdrejtori i AKI-së.
Sipas aktakuzës, motiv i kësaj vrasje ishte xhelozia që i akuzuari Iberdemaj e kishte ndaj tani të ndjerit Isa Sejdiu.
Gjithnjë sipas aktakuzës përderisa i ndjeri ishte në kuzhinë, i akuzuari Iberdemaj kishte shkuar me revolen ‘’CZ-M-57’’ të kalibrit 7.62 mm, e kishte thirrur në emër ‘’Isa’’ ndërsa i ndjeri i ishte përgjigjur ‘’urdhëro xhaxh’’.
Në atë moment i akuzuari Iberdemaj kishte shtënë në distancë prej tre metrash, dy herë, në anën e majtë të gjoksit duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Sipas pikës dy të aktakuzës, i akuzuari Iberdemaj pasi kishte vrarë tani të ndjerin Isa Sejdiu, me qëllim që të ikë nga vendi i ngjarjes e ka rrëmbyer të dëmtuarën Florije Beqirin e cila ishte duke pirë kafe në oborrin e AKI-së.
Pasi që i akuzuari kishte dalur në oborr i ishte afruar të dëmtuarës dhe nën kërcënimin e armës e kishte detyruar që të shkojnë tek parkingu i AKI-së të hipin në veturë dhe pasi i akuzuari Iberdemaj i kishte vendosur armën pas kokës e kishte urdhëruar të njëjtën që makinën t’a ngasë në drejtim të portës kryesore.
Tutje në aktakuzë thuhet se pasi i akuzuari me të dëmtuarën Florije arrijnë te porta kryesore dalin nga vetura duke ecur ashtu që i akuzuari e kishte mbajtur në qafë me njërën dorë ndërsa me tjetrën i kishte drejtuar armën.
Aty ata pengohen nga zyrtarët e sigurimit dhe aty i akuzuari Iberdemaj, sipas aktakuzës, u kishte thënë
‘’e vrava shkoj çika’’ ndërsa zyrtari i sigurimit Shqiprim Shala i kishte thënë ‘’nëse dëshiron ta vrasësh dikënd, më vrit mua’’.
Ndërsa i akuzuari në ato momente i ishte drejtuar zyrtarit të sigurimit me emrin Emin duke i thënë ‘’vetëm ty ta dha armën’’ pastaj i është afruar i ka dhënë armën ku edhe është liruar tani e dëmtuara Florije Beqiri.
Sipas pikës tre të aktakuzës, Valon Iberdemaj ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje që nga koha e pacaktuar e deri me datën 04 shtator 2018 për mbajtjen pa autorizim të 2 revoleve dhe një thike.