Foto: KALLXO.com

Vrasja me thikë e 19-vjeçarit, Gjykata refuzoi kërkesën edhe për një ekspertizë të shëndetit mendor të të akuzuarit

Gjykata e Prizrenit vendosi të mos pranojë kërkesën e avokatëve mbrojtës për ta shtyrë seancën pasi që dyshonin se prokurori prezent nuk ishte i përgatitur për mbajtjen e kësaj seance të gjykimit të  Haxhi Selmanajt, i akuzuar për vrasje.

19-vjeçari E.K. vdiq në janar të vitit 2020 pas goditjes me thikë në zemër.

Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi pas një konflikti fizik dhe mosmarrëveshjes mes të akuzuarit dhe vëllait të viktimës, me ç’rast Haxhi Selmanaj goditi E.K. me thikë në zemër.

Ndërsa, sot, më 10.09.2024, mbrojtësi i të akuzuarit Selmanaj, avokati Esat Gutaj, tha se në emrin e tij dhe të kolegut Sylë Hoxha, duke pasur parasysh peshën dhe rëndësinë e kësaj çështjeje penale, kur lënda është kthyer në rigjykim, dyshon se prokurori sot që e përfaqëson këtë lëndë penale të jetë i përgatitur për mbajtjen e kësaj seance.

Me fjalët e avokatit u pajtua edhe i mbrojturi i tij, i akuzuari Haxhi Selmanaj.

Ndërsa, prokurori që do të prezantonte në këtë seancë ishte Mehdi Sefa.

Pas kërkesës, i njëjti kërkoi që një kërkesë e tillë e mbrojtjes të refuzohet dhe të vazhdohet me seancë, pikërisht për arsye se kemi të bëjmë me një rast të vrasjes, ku çështja nuk pret shtyrje.

Lidhur me kërkesën e mbrojtjes u deklarua edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Muhamet Shala, i cili theksoi se kërkesa e tillë është joprofesionale dhe duhet të refuzohet.

Pas kësaj, prokurori Sefa tha se në çështjen e njëjtë kishte përfaqësuar dhe atë më 29.01.2021.

Lidhur me kërkesën në fjalë, trupi gjykues me kryetar Teuta Krusha vendosi që kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarit të lartcekur të refuzohet.

Tutje, në këtë shqyrtim gjyqësor u shikuan edhe imazhet lidhur me mesazhet e këmbyera mes të akuzuarit Selmanaj dhe dëshmitarit.  Kjo, pas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Selmanaj,  avokatit Esat Gutaj, i cili kërkoi që të administrohen si provë materiale edhe mjetet, transkriptet e komunikimit mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z.K. një ditë para ditës kritike dhe në ditën kritike.

Pas kësaj, nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit u kërkua që edhe një herë të akuzuarit Haxhi Selmanaj t’i bëhet ekspertizë psikiatrike e veçantë për gjendjen e shëndetit mendor.

Prokurori Mehdi Sefa kundërshtoi një gjë të tillë pasi një ekspertizë lidhur me shëndetin mendor të akuzuarit Haxhi Selmanaj ishte kryer më 23.06.2022.

Edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Muhamet Shala, e kundërshtoi propozimin në fjalë.

Ndër të tjerash ai deklaroi se mbrojtja e të akuzuarit e ka konsumuar këtë të drejtë dhe të gjitha pikat e paqarta që ka pasur lidhur me ekspertizën i është përgjigjur personalisht hartuesi i kësaj ekspertize dr. Jeton Zogaj.

Ndërsa, trupi gjykues vendosi ta refuzojë propozimin e mbrojtjes për ekzaminimin e sërishëm psikiatrik të të akuzuarit Haxhi Selmanaj, pasi që gjatë kësaj procedure është marrë raporti i datës 23.06.2022 lidhur me ekzaminimin psikiatrik nga Instituti i Psikiatrisë në Kosovë.

Seanca nuk vazhdoi tutje. Pasi mbrojtja e të akuzuarit Selmanaj tha që i duhet kohë për t’u konsultuar me të mbrojturin.

Seanca e radhës u caktua për më 01.11.2024.

19-vjeçari E. K. kishte mbetur i vdekur si pasojë e goditjes me thikë në zemër në janar të vitit 2020.

I akuzuari Haxhi Selmanaj është ulur sërish në bankën e të akuzuarve për shkak që Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Më 26.05.2021, i akuzuari Haxhi Selmanaj nga Gjykata e Prizrenit ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 20 vjet burgim, ndërsa për veprën armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 500 euro gjobë.

Sipas Prokurorisë, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26.01.2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta E.K.

Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z. K., vëllai i tanimë viktimës.

Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin.

Pasi ai kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit, në një moment Selmanaj e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.

Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me Ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë ngjyrë ushtarake, i cili është sekuestruar.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni duke klikuar këtu.