Vrasja me pagesë, të enjten Gjykata shpall vendimin

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit po i afrohet fundit.

Gjykata e Pejës pritet të dalë me një aktgjykim këtë të enjte.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit në Gjykatën e Pejës po gjykohen Bekim Raja, Gjon Pnishi, Murat Sinanaj dhe Avni Sinanaj.

Prokuroria po pretendon se vrasja u krye me pagesë.

Ndrecë Dodaj, mbrojtësi i të akuzuarit Gjon Pnishi, që bashkëpunoi me prokurorinë, dje dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare duke shprehur dilemat e tij rreth kualifikimit ligjor të veprës penale.

“Mbrojtja i ka dilemat sa i përket variantit të bashkimit kriminal apo kemi të bëjmë me marrëveshje.  “ tha Dodaj.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Pashkë Gjini  i tha trupit gjykues se “pres nga ana e juaj qe të i dënoni maksimalisht me përjashtim të Gjonit qe ka ndikuar në zbardhjen e të vërtetës.”.

Mbrojtësi  i të dëmtuarit Pash Gjini, avokati Teki Bokshi, tha se me korrektësi ka ardhur deri të përfundimi i këtij shqyrtimi gjyqësor.

Sipas tij është argumentuar qëllimi i kryerjes se veprës penale.

Në fjalën përfundimtare mbrojtësja e të akuzuarit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi tha se aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ku për këtë vrasje akuzohej Gjon Pnishi, arriti të bindë këtë trup gjykues se i  akuzuari Gjon Pnishi është kryes i veprës penale të vrasjes së Ferdinand Gjinit dhe për këtë iu shqiptua një dënim.

Pas kthimit të çështjes në rigjykim avokatja Kelmendi tha se nga Gjykata e Apelit është kërkuar që  “gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet t’i eliminoj kundërthëniet, t’i administroj edhe një herë të gjitha provat për zbardhjen e drejtë dhe të plotë të fakteve, e sidomos të dëgjohet eksperti i balistikës, përkitazi me faktet dhe rrethanat se si ka mundur të vijë deri te të shtënat në drejtim të tani të ndjerit dhe atë kur të dy automjetet kanë qenë në lëvizje…”.

Avokatja tha se trupi gjykues sipas bindjes së saj nuk ka vepruar ashtu madje i ka injoruar tërësisht vërejtjet dhe sugjerimet e Gjykatës së Apelit e me këtë edhe aktakuzën  që ka qenë objekt shqyrtimi.

Avokatja shtoi se dëshmia e Gjon Pnishit sipas dispozitave ligjore është provë e pranueshme kundër të pandehurit, por jo edhe kundër të bashkëpandehurve.

“Deklaratat e tilla nuk mund të shërbejnë si provë e vetme fajësuese apo vendimtare për dënimin e të pandehurit”., tha ajo.

Avokatja Kelmendi  dhe mbrojtësit e të akuzuarve Murat Sinanaj, Bekim Raja e konsideruan të kundërligjshme shpalljen e dëshmitarit bashkëpunues të D1.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokati Granit Vokshi tha se e gjithë përmbajtja e kësaj aktakuze është e mbështetur në pretendime të pabaza dhe të paargumentuara, duke shtuar se prokuroria duke vepruar në mënyrë të njëanshme, gjithë mbështetjen e saj të pretendimeve të aktakuzës e bën mbi deklarimet dhe deponimet e dëshmitarit bashkëpunues (“D1”) dhe të bashkakuzuarit Gjon Pnishi.

Vokshi shtoi se shpallja e dëshmitarit D1 si dëshmitar bashkëpunues është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Lidhur me këtë, avokati tha se  në seancën e datës 30 maj 2019, kanë parashtruar

“Kërkesë për përjashtimin e dëshmisë së datës 4 korrik 2018 të dëshmitarit bashkëpunues D1.”, e me këtë kërkesë, janë bashkangjitur edhe provat relevante se pse dëshmia e D1 sipas tij nuk gëzon

mbështetje ligjore dhe vetë nuk ka kredibilitetin e mjaftueshëm që dëshmia e tij të merret për

bazë.

Avokati para trupit gjykues prezantoi mospërputhjet që gjithnjë sipas tij i karakterizojnë  dëshmia e D1 dhe ajo e Gjon Pnishit.

Gjersa mbrojtësi i të akuzuarit Murat Sinanaj tha se aktakuza është ngritur në kundërshtim më të gjitha dispozitat ligjore dhe me asnjë prove të besueshme materiale.

Avokati Gzim Kollqaku precizoi sipas tij 10 deklarime të të akuzuarit Gjon Pnishi qe janë në kundërshtim me dëshmitë e dëshmitareve dhe provat materiale, e njeëherit sipas tij provohet se Ferdinand Gjinin e kishte vrarë Gjon Pnishi.

Sipas Kollqakut, vetëm dëshmia e të akuzuarit Gjon Pnishi e fajëson të mbrojturin e tij, andaj ai tha se mbështetur në dispozita ligjore Gjykata nuk mund  të shpall të akuzuarin fajtor duke u mbështetur në një dëshmi, prandaj kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që bashkë me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.6.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substancë narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.

Javë më parë, KALLXO.com raportoi se të akuzuarit në këtë rast kishin planifikuar të kërkonin ndihmë nga ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë