Foto: KALLXO.com

Vrasja më 2023 në Podujevë, dëshmon vëllai i të akuzuarit

Në gjykimin e A.S., i cili po akuzohet se në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur kanë privuar nga jeta V.B. në marketin “Interex”, në Podujevë, më 2023, në seancën e së martës, 04.03.2025 ka dëshmuar F.S., i cili është vëllai i të akuzuarit.

Dëshmitari F.S. deklaroi se në ditën kritike kishte parë dy makina të Policisë para derës së shtëpisë së tij dhe pas kësaj kishte shkuar te shtëpia e vëllait të tij A.S. (i akuzuar), dhe e kishte pyetur se mos ka njohuri nëse ka ndodhur ndonjë gjë.

Dëshmitari deklaroi se A.S. i kishte thënë se nuk ka njohuri nëse kishte ndodhur ndonjë gjë.

Tutje, dëshmitari F.S. tha se kur kishte parë Policinë i kishte pyetur se çka kishte ndodhur dhe, sipas tij, ata i kishin thënë se kishin ardhur të bëjnë roje.

“Unë personalisht nuk kam pasë arsye me pritë Policinë që të bëjë roje, po kam pasë dilemë për vëlla, se unë nuk kam problem me askënd” – tha dëshmitari F.S.

“Për çka keni pasë dilemë për vëlla?” – ishte pyetja që prokurori Arben Hoti ia bëri dëshmitarit.

“E kemi pasë dilemë se ka qenë i plagosur para 1 viti e gjysmë” – u përgjigj dëshmitari F.S.

Tutje, dëshmitari F.S. tha se Policia kishte shkuar për kontroll te shtëpia e të akuzuarit A.S. dhe pas kontrollit Policia kishte arrestuar të akuzuarin A.S.

Lidhur me të ndjerin, dëshmitari F.S. deklaroi se nuk e ka njohur.

Pas përfundimit të dëshmisë nga dëshmitari F.S., kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njoftoi se në radhë është administrimi i provave materiale.

Prokurori Arben Hoti tha se në këtë seancë është me zëvendësim dhe kërkoi që në seancën e radhës të bëhet administrimi i provave materiale.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit A.S., avokati Besnik Berisha, tha se kanë bërë përpjekje në Prokurori që t’u ofrohet një CD e cila mungon në shkresa të lëndës, dhe pasi kjo ka rezultuar pa sukses i janë drejtuar Gjykatës me kërkesën që t’u ofrohet kjo CD, pasi që atyre u kërkohet që të shprehin vërejtje, komente lidhur me provat materiale.

Lidhur me këtë kërkesë të avokatit Berisha, gjyqtarja Fatime Dermaku obligoi Prokurorinë që pa vonesë mbrojtjen ta pajisë me CD-në që kërkohet, duke thënë se është obligim ligjor që mbrojtjes t’i ofrohen të gjitha provat të cilat i disponon Prokuroria.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për në muajin prill 2025, kur pritet të bëhet administrimi i provave materiale.

Kjo çështje penale po gjykohet nga gjyqtarët Fatime Dërmaku, Gent Beka dhe Sulltane Hoti.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari A.S.  me qëllim të hakmarrjes e për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V.B. dhe Sh.R., i pandehuri ka porositur djalin e tij, të miturin L.S., që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B., duke kontribuar thellësisht në privimin nga jeta të tani të ndjerit V.B., e duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë.

Sipas Prokurorisë, më 11.09.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri A.S. me djalin e tij të mitur L.S. shkojnë në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë nga ku vëzhgojnë rrugën “Zahir Pajaziti”.

Rreth orës 12:20, vërejnë tani të ndjerin V.B. se hyn në marketin “Interex’” së bashku me bashkëshorten e tij, tani të dëmtuarën L.S., dhe fëmijën e tyre katërvjeçar.

Në aktakuzë thuhet se A.S. me të miturin L.S. dalin nga restoranti i marketit, duke zbritur shkallëve.

A.S. e orienton të miturin L.S. në drejtim të të ndjerit V.B., i cili vihet në ndjekje të tij.

Ndërkaq, A.S. vazhdon për të dalë nga objekti.

Në momentin kur tani i ndjeri V.B., së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S. dhe fëmijën e tij, arrijnë te sektori i produkteve të qumështit i mituri L.S. i afrohet nga mbrapa, nga afërsia fillimisht shtie dy herë në drejtim të V.B. (e qëllon në shpinë dhe në qafë).

Sipas dosjes, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B. dhe e qëllon edhe të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, L.S.

Tutje, në aktakuzë thuhet se L.S. kishte filluar të ikte në momentin kur kishte dëgjuar krismën.

I mituri L.S. kishte nxjerrë nga çanta pistoletën tjetër, me të cilën qëllon edhe 4 herë në kokë tani të ndjerin V.B.

Ky i fundit, tanimë ishte i shtrirë në tokë.

Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma e zjarrit V.B. vdes në vendin e ngjarjes, kurse e dëmtuara L.S. dërgohet në QKUK për shkak të plagëve të rënda që pëson.

Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas të shtënave, i mituri L.S. me shpejtësi del nga marketi “Interexi” dhe largohet këmbë në drejtim të panjohur.

I pandehuri A.S. afrohet te vetura e tipit “Mercedes E 200”, të cilën e kishte parkuar përballë “Interex”-it dhe shkon në shtëpinë e vet, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, ku edhe është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij janë gjetur e sekuestruar: një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë e dy antiplumba.

Me këtë i pandehuri A.S. akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S. ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.