Seanca ndaj Qëndrim Januzit në Gjykatën e Apelit (04.10.2024), Foto: KALLXO.com
Vrasja e vitit 2022 - çfarë tha i akuzuari Qëndrim Januzi në Gjykatën e Apelit?
Vendimi i Gjykatës Themelore të Ferizajt, përmes të cilit Qëndrim Januzi, vëllai i reperit “Buta” u dënua me 17 vjet burg për vrasjen e Gazmend Hysenit në maj të vitit 2022, është ankimuar në Gjykatën e Apelit.
Kundër vendimit të Themelores janë dorëzuar ankesa nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Gazmend Rexhepi edhe avokati i të akuzuarit, Florin Vërtopi.
Në seancën e 04.10.2024 të mbajtur në Gjykatën e Apelit, prokurori nuk ishte prezent mirëpo gjyqtari Xhevdet Abazi bëri të ditur se Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte paraqitur ankesë për të gjitha bazat ankimore.
Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi, i cili ishte prezent në seancë tha se i mbështet të gjitha pikat e përshkruara në ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Dënimi ndaj të akuzuarit në shkallë të parë është shumë i ulët duke pasur parasysh të kaluarën kriminale” – tha përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi.
“Parimisht në një familje është mbyllur një derë” – shtoi tutje avokati Rexhepi.
Kurse Florin Vërtopi, avokati i të akuzuarit Qëndrim Januzi, kërkoi nga Gjykata e Apelit që ankesa e tij të shqyrtohet në detaje. Ai gjatë seancës tha se për rikualifikim të veprës penale nuk është përgjegjës i mbrojturi i tij por trupi gjykues i Themelores.
Po ashtu, avokati Vërtopi propozoi që të refuzohen ankesat e palës së dëmtuar dhe Prokurorisë si dhe të miratohet ankesa e tij.
Ndërsa i akuzuari Qëndrim Januzi tha se i mbështet në tërësi fjalët e avokatit të tij si dhe tha se ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur.
“Nëse minimumi veç për muajin maj është fjala nëse nuk më kanë ardhur 30 herë Gazmendi me ata të tjerët që jon kanë, mu 100 vjet burg jepmi” – deklaroi i akuzuari Qëndrim Januzi.
“Amo unë përtej shtëpisë tem nuk kom pas ku me shku edhe rasti më ka ndodh është diku 40 deri 50 metra larg oborrit” – shtoi tutje i akuzuari Qëndrim Januzi.
Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Apelit në përbërje të kolegjit të gjyqtarëve: Hashim Çollaku – kryetar i trupit gjykues, Xhevdet Abazi dhe Valbona Musliu – Selimaj.
Kujtojmë se i akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria.
Sipas aktakuzës, në orët e para të datës 28.05.2022, i akuzuari Qëndrim Januzi e kishte privuar nga jeta me 6 plumba viktimën Gazmend Hyseni.
Gjykata e Ferizajit më 30.04.2024 e kishte dënuar Qëndrim Januzin me 17 vjet burgim për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj në maj të vitit 2022. I akuzuari ishte dënuar me 16 vjet me burgim për veprën penale vrasje dhe me një vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje e si dënim unik i ishte shqiptuar 17 vjet burgim.
Ky vendim ishte marrë në përbërje të trupit gjykues: Habib Zeqiri – kryetar dhe dy anëtarët, Ilir Bytyqi dhe Fitore Daci.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.