Qëndrim Januzi, Foto: Kallxo.com, Seanca 13.10.2023

Vrasja e vitit 2022: Apeli e vërteton vendimin e Themelores ndaj Qëndrim Januzit

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelores në Ferizaj, përmes të cilit Qëndrim Januzi, vëllai i reperit “Buta” ishte dënuar me 17 vjet burg për vrasjen e Gazmend Hysenit në maj të vitit 2022.

“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR, në Ferizaj, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar V. H., dhe ankesa e përbashkët e mbrojtësve të akuzuarit Q. J., ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Ferizaj, i datës 20.06.2024, vërtetohet”- thuhet në vendimin e Gjykatës se Apelit.

Kundër vendimit të Themelores ishin dorëzuar ankesa nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Gazmend Rexhepi edhe avokati i të akuzuarit Florin Vërtopi.

Përmes aktgjykimit të datës 10.10.2024 Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe ankesën e përbashkët të mbrojtësve të akuzuarit Qëndrim Januzit, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj të datës 20.06.2024 e ka vërtetuar.

“Gjykata e Apelit, gjen se pretendimet e lartë cekura ankimore janë të pabazuara nga se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase diapozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, i njëjti, po ashtu, ka mbështetje në prova dhe shkresa tjera të lëndës dhe atë, së pari përkitazi me motivin e kryerjes së veprës penale, pastaj mënyrën e kryerjes së veprës penale, ku, nga dëshmitarët R. S., V. H., , A. S., B. J., B. B., R. Z., dhe L. L., por, edhe nga vetë mbrojtja e të akuzuarit janë vërtetuar raportet jo të mira në mes të akuzuarve dhe tani të ndjerit G. H. të cilët më parë kishin qenë shok të mirë në mes veti, kurse, më vonë marrëdhëniet e tyre ishin prishur dhe atë një kohë të gjatë para ditës kritike, në fillim për shkak të një borxhi që e kishte kërkuar tani i ndjeri nga i akuzuari dhe së fundi edhe për shkak të djegies së automjetit të akuzuarit, ku për këtë, i akuzuari me anëtarët e tjerë të familjes së tij, kishte dyshuar në tani të ndjerin, e që më pastaj, ditën kritike ka ardhur edhe deri tek privimi nga jeta e tani të ndjerit G. H.” – thuhet në vendimin e Apelit.

“Në dispozitiv janë përshkruar edhe veprimet inkriminuese të akuzuarit Q. J., që përbëjnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale të vrasjes, ku përveç dispozitivit edhe nga përmbajtja e arsyetimit të aktgjykimit të ankimuar në mënyrë të qartë rezulton se bëhet fjalë për vepër penale të vrasjes si në dispozitiv e jo të veprës penale të vrasjes të kryer nën ndikimin e tronditjes së fortë mendore, sikur që pretendojnë mbrojtësit e të akuzuarit, por, as për vepër penale të vrasjes së rëndë, sikur që pretendon prokuroria”- thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Ky vendim është marrë në përbërje të kolegjit të gjyqtarëve: Hashim Çollaku – kryetar i trupit gjykues, Xhevdet Abazi dhe Valbona Musliu- Selimaj.

Sipas aktakuzës, në orët e para të datës 28.05.2022, i akuzuari Qëndrim Januzi e kishte privuar nga jeta me 6 plumba viktimën Gazmend Hyseni.

Gjykata e Ferizajt më 30.04.2024 e kishte dënuar Qëndrim Januzin me 17 vjet burgim për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj në maj të vitit 2022. I akuzuari ishte dënuar me 16 vjet me burgim për veprën penale vrasje dhe me një vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje e si dënim unik i ishte shqiptuar 17 vjet burgim.

Ky vendim ishte marrë në përbërje të trupit gjykues: Habib Zeqiri – kryetar dhe dy anëtarët, Ilir Bytyqi dhe Fitore Daci.