Vrasja e Triumf Rizës, refuzohet kërkesa e të pandehurit Ilir Abdullahu për hedhje poshtë të aktakuzës
Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës në rastin e Ilir Abdullahut, i cili po akuzohet lidhur me rastin e vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Rizës.
Ilir Abdullahu ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e datës 18.09.2024.
Pas kësaj, ai ka shfrytëzuar të drejtën për t’i kundërshtuar provat e Prokurorisë dhe ka bërë kërkesë që kjo aktakuzë të hidhet poshtë.
Me këtë pretendim të tij nuk është pajtuar Gjykata Themelore, e cila e ka lënë në fuqi aktakuzën dhe kjo aktakuzë do të procedohet për shqyrtim në gjykim pasi vendimi refuzues për hedhje të aktakuzës i datës 06.12.2024 të marrë formën e prerë.
“Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të parashtruara ndaj aktakuzës PPS.nr 467/2009 të Prokurorisë Speciale…”- thuhet në vendim e gjyqtarit Valon Kurtaj.
Pala ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Abdullahu nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun kanë vrarë policin e Kosovës, Triumf Rizën.
Fillimisht, në seancën e datës 18.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës ishte bërë leximi i aktakuzës nga prokurorja Habibe Salihu, ndërsa pas leximit të aktakuzës i akuzuari Abdullahu ishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
“Nuk e pranoj fajësinë, pasi nuk e kam kry këtë vepër, nuk kam të bëj me këtë rast dhe nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme” – ishte deklaruar i pandehuri Ilir Abdullahu.
Për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza, që ndodhi në vitin 2007, Policia e Kosovës më 16.07.2023 e kishte arrestuar të dyshuarin Ilir Abdullahu.
Abdullahu ka qenë në kërkim 15 vjet nga organet e rendit, e arrestimi i tij kishte ndodhur më 16.07.2023 në Batllavë të Podujevës.
Doras i shpallur fajtor për vrasjen e Triumf Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua me 35 vjet burgim, kurse Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes, është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe është dënuar me 25 vjet burg.
Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për urdhërimin e vrasjes së Rizës 17 vjet më parë.
Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vjet burgim kurse sërish në vitin 2019 me 20 vjet burgim.
Enver Sekiraqa aktualisht është në arrati dhe i njëjti kërkohet nga organet e rendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 01.09.2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Ilir Abdullahut për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë Speciale?
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Ilir Abdullahu me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu dhe me të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga i pandehuri Enver Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, e me dashje që ta privojnë nga jeta Triumf Rizën, për shkak se i njëjti më 24.12.2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur Enver Sekiraqën i cili kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit të Triumfit me A.I., i njëjti nuk e ka lejuar që t’i japë reket – të holla si më parë.
Në aktakuzë thuhet se një kohë e kanë përcjellë me vetura lëvizjet e tani të ndjerit Triumf Riza dhe më 30.08.2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, tani i dënuari Fitim Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Ilir Abdullahu me përmbajtjen: “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin “Grand”.
Sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Queen’s”, ku tani i dënuari Arben Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa të pandehurit Ilir dhe Rrahim Abdullahu kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Rrahim Abdullahu përmes telefonit të tij i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar i ulur në tarracën e një lokali afër lokalit “AMPM”, me përmbajtjen: “rri qatu hin mrena se mir je ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali “AMPM”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Arben Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Triumf Riza nuk kishte pritur kurrfarë sulmi, e me shpinë të kthyer nga ai, në distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafalë të shkurtra, duke e goditur me 2 predha në shpinë, ku predhat, nga veprimi dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një predhe është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Për këtë i akuzuari Ilir Abdullahu në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.