Foto: KALLXO.com
Vrasja e Triumf Rizës, deklarohet i pafajshëm i akuzuari Ilir Abdullahu
“Po bëjnë show me këtë rast që dy dekada. Tash kanë filluar edhe politikanët me bo fushata me këtë rast”.
Kështu deklaroi i akuzuari Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, para Gjykatës në seancën e shqyrtimit fillestar.
Abdullahu nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, kanë vrarë policin e Kosovës, Triumf Rizën.
Fillimisht, në seancën e datës 18.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës u bë leximi i aktakuzës nga prokurorja Habibe Salihu, ndërsa pas leximit të aktakuzës i akuzuari Abdullahu deklaroi se nuk e pranon fajësinë.
“Nuk e pranoj fajësinë, pasi nuk e kam kry këtë vepër, nuk kam të bëj me këtë rast dhe nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme” – deklaroi i pandehuri Ilir Abdullahu.
“Deri sot nuk kemi pasë të bëjmë me drejtësi, po kemi pasë të bëjmë me një drejtësi private dhe kjo aktakuzë e kam cekur edhe në Prokurori ka prova të manipulume, të montume dhe të kontrabandume” – shtoi tutje i akuzuari Abdullahu gjatë seancës së sotme.
Avokati Ramë Dreshaj, i cili është mbrojtësi i të pandehurit Ilir Abdullahu, e mbështeti deklarimin e të mbrojturit të tij dhe kërkoi plotësim të lëndës me disa prova dhe tha se do t’i drejtohet me shkrim Prokurorisë, ku do t’i theksojë cilat provat i kërkojnë nga PSRK-ja dhe arsyet pse i kërkojnë.
Ndërsa në fund të seancës avokati Ramë Dreshaj kërkoi nga Gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet masa e paraburgimit dhe kjo masë të zëvendësohet me cilëndo masë tjetër, duke filluar nga arresti shtëpiak apo lirimi me dorëzani, mirëpo prokurorja Habibe Salihu tha se qëndron pranë masës së caktuar.
Ndërsa kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj e kundërshtoi propozimin e avokatit Ramë Dreshaj dhe bëri të ditur se të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit.
Për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza që ndodhi në vitin 2007, Policia e Kosovës më 16.07.2023 e kishte arrestuar të dyshuarin Ilir Abdullahu.
Abdullahu ka qenë në kërkim 15 vjet nga organet e rendit, e arrestimi i tij kishte ndodhur më 16.07.2023 në Batllavë të Podujevës.
Doras i shpallur fajtor për vrasjen e Triumf Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua me 35 vjet burgim dhe Enver Sekiraqa, i cili është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për nxitje të vrasjes dhe është dënuar me 25 vjet burg.
Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për urdhërimin e vrasjes së Rizës 17 vite më parë.
Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vjet burgim kurse sërish në vitin 2019 me 20 vjet burgim.
Enver Sekiraqa aktualisht është në arrati dhe i njëjti kërkohet nga organet e rendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 01.09.2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Ilir Abdullahut për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Më 03.08.2024 Ilir Abdullahut, i njohur si “Liza”, i është vazhduar edhe për dy muaj masa e paraburgimit.
Edhe në fillim të muajit prill, Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim që Abdullahut t’i vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit.
Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës pasi kishte dhënë 100 mijë euro dorëzani.
Gjykata e Apelit, më 03.11.2023, e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun.
Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhet se në ankesën e Prokurorisë Speciale pretendohet se aktvendimi për masën e dorëzanisë është në shkelje të dispozitave të procedurës penale. Kjo për faktin se për caktimin e kësaj mase duhet të ekzistojë dyshimi i bazuar dhe se baza e vetme është rreziku i ikjes, andaj Prokuroria ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së dorëzanisë ndaj të njëjtit.
Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se ankesa e Prokurorisë Speciale është e bazuar dhe se Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.
Andaj edhe zëvendësimi i masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë në vlerë prej 100 mijë euro për të pandehurin nuk është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se i pandehuri Abdullahu duhet të kthehet në paraburgim.
Gjykata Supreme e Kosovës e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit që Ilir Abdullahun ta kthejë në paraburgim.
Gjykata Supreme e kishte refuzuar ankesën e avokatit të Abdullahut, Ramë Dreshaj, i cili kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit që të dyshuarin ta kthejë në masën e paraburgimit.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë Speciale?
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Ilir Abdullahu me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu dhe me të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga i pandehuri Enver Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, e me dashje që ta privojnë nga jeta Triumf Rizën, për shkak se i njëjti më 24.12.2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur Enver Sekiraqën i cili kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit të Triumfit me A.I., i njëjti nuk e ka lejuar që t’i japë reket – të holla si më parë.
Në aktakuzë thuhet se një kohë e kanë përcjellë me vetura lëvizjet e tani të ndjerit Triumf Riza dhe më 30.08.2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa” në Prishinë, tani i dënuari Fitim Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Ilir Abdullahu me përmbajtjen: “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin “Grand”.
Sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Arben Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa të pandehurit Ilir dhe Rrahim Abdullahu kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Rrahim Abdullahu përmes telefonit të tij i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar i ulur në tarracën e një lokali afër lokalit “AMPM”, me përmbajtjen: “rri qatu hin mrena se mir je ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali “AMPM”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Arben Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Triumf Riza nuk kishte pritur kurrfarë sulmi, e me shpinë të kthyer nga ai, në distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafalë të shkurtra, duke e goditur me 2 predha në shpinë, ku predhat, nga veprimi dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një predhe është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Për këtë i akuzuari Ilir Abdullahu në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.