Vrasja e trefishtë në Kaçanik, i akuzuari: E ndjej veten të pafajshëm, jam viktimë e vizitës në burgun e Dubravës

Ka vazhduar të jap mbrojtjen Afet Dalloshi, i akuzuar bashkë me Agron Dalloshin për vrajsen e trefishtë në Kaçanik, të kryer më 27 dhe 28 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë.

Afet Dalloshi shtoi para gjykatës se ndihej i pafajshëm dhe se është viktimë e vizitës që kishte bërë në burgun e Dubravës.

“Unë e ndiej veten të pafajshëm plotësisht në këtë lëndë. Jam viktimë e asaj vizite që e kam bërë në burgun e Dubravës, ndërsa sa i përket gjërave tjera që kam pasur plan t’i them, do t’i them në fjalën përfundimtare”- shtoi ai.

Po ashtu i dëmtuari Arben Baftiu në këtë seancë i propozoi gjykatës që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen Isa Vishi, Nexhat Koxha, Kadri Sahiti dhe dëshmitarë të tjerë.

Këto propozime trupi gjykues i aprovoi me qëllim të vërtetimit së të vërtetës.

Në vitin 2011, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg, kurse Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, Hasani kishte dhënë deklaratë në hetuesi për vrasjen e vitit 2007 dhe pas dëgjimit të tij, prokuroria kishte ngritur aktakuzë në shtator të vitit 2011 ndaj Nystret Cenës, Afet Dalloshit dhe Agron Dalloshit.

Në mars të vitit 2012, Prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën e vitit 2011 dhe kishte liruar Nystret Cenën nga cilësia e të akuzuarit.

Aktakuza e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës ngarkon këta për vrasje, dy vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, N.B kishte hyrë dorëzan për borxhin që Nexhat Koxhaj ia kishte Arsim Kaloshit, nga i cili i kishte blerë një veturë. Për shkak të këtij borxhi Nysret Cena, i cili kishte marrë përsipër që të kthente këtë borxh, ishte fjalosur me N.B.

Sipas Prokurorisë, me të ishte fjalosur edhe i akuzuari tjetër Afet Dalloshi “lidhur me një femër, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë dinake” – thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se ditën e vrasjes, Afet Dalloshi me veturë të markës “Audi” ka bartur Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura e lumit Lepenc, nga i cili vend është larguar pasi ka lënë aty këta dy.

Në anën tjetër, Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhej në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, ku qëndronte N.B, për të parë se kur do të largohej nga restoranti ashtu që të lajmëronin Nesretin dhe Agronin.

Qerimi dhe Hasani kanë lajmëruar Nesretin dhe Agronin me bori, se N.B., po kalonte andej, të cilët pastaj kanë shtënë me rafalë të gjatë, me 40 fishekë duke e lënë të vdekur, thuhet në aktakuzë.

Në veturën e N.B. ndodheshin dhe S.B. dhe U.B. të cilat kanë vdekur, ndërsa i plagosur kishte mbetur B.B., ndërsa pa lëndime kishte mbetur S.B.