Foto; KALLXO.com

Vrasja e trefishtë në Kaçanik, dëshmitarët rrëfejnë se çfarë dinin për rastin

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e radhës e gjykimit të Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit, të akuzuar për vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur në vitin 2007 në vendin e quajtur “Ura e Lepencit” në Kaçanik.

Në seancën e sotme kanë dëshmuar Isa Vishi, Berat Baftiri, Kadri Brahimi dhe Agim Baftiu.

Dëshmitari Isa Vishi para Gjykatës tha që e njihte Afet Dalloshin dhe se tri ditë para se të ndodhe vrasja ishte takuar me N.B., i cili i kishte thënë se po përcillej nga Afet Dalloshi.

“Tre ditë para vrasjes jam takuar me N.B., i njëjti më ka thënë se janë duke më përcjellë Afet Dalloshi, kah po shkronja po më përcjellin, por nuk më ka thënë arsyen se pse po e përcjellin”- tha Vishi para Gjykatës.

Dëshmitari tha se nuk e dinte kush i kishte vrarë tashmë viktimat pasi që nuk ka qenë në vendin e ngjarjes.

Po ashtu, dëshmitari tregoi se i kishe shkruar Fahri Ibishit mesazh duke i thënë pse s’po e zbulon krimin pasi që ai ishte zyrtar policor.

Ndërsa dëshmitari tjetër Berat Baftiri tha që kishte biseduar me Ramizin dhe i njëjti I kishte thënë që kishte parë dy persona tek ura me automatikë në dorë, por nuk kishte mundur t’i identifikonte.

“Kam biseduar me Ramizin i cili ka thanë “i kam pa dy persona te ura e Lepencit të veshur me tesha të zeza”, më ka thënë se i ka pa vetëm nga mbrapa dhe kanë pasë automat dhe se nuk e ka ditur se kush janë ata” – tha dëshmitari Baftiri.

Seanca e radhës është paraparë të mbahet më 1 shkurt 2023, kur do të dëgjohen dëshmitarët e radhës.

Në vitin 2011, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg, kurse Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, Besnik Hasani kishte dhënë deklaratë në hetuesi për vrasjen e vitit 2007 dhe pas dëgjimit të tij, prokuroria kishte ngritur aktakuzë në shtator të vitit 2011 ndaj Nysret Cenës, Afet Dalloshit dhe Agron Dalloshit.

Në mars të vitit 2012, Prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën e vitit 2011 dhe kishte liruar Nysret Cenën nga cilësia e të akuzuarit.

Aktakuza e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës ngarkon këta për vrasje, dy vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, N.B. kishte hyrë dorëzan për borxhin që Nexhat Koxhaj ia kishte Arsim Kaloshit, nga i cili i kishte blerë një veturë. Për shkak të këtij borxhi Nysret Cena, i cili kishte marrë përsipër që të kthente këtë borxh, ishte fjalosur me N.B.

Sipas Prokurorisë, me të ishte fjalosur edhe i akuzuari tjetër Afet Dalloshi “lidhur me një femër, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë dinake” – thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se ditën e vrasjes, Afet Dalloshi me veturë të markës “Audi” ka bartur Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura e lumit Lepenc, nga i cili vend është larguar pasi ka lënë aty këta dy.

Në anën tjetër, Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhej në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, ku qëndronte N.B., për të parë se kur do të largohej nga restoranti ashtu që të lajmëronin Nysretin dhe Agronin.

Qerimi dhe Hasani kanë lajmëruar Nysretin dhe Agronin me bori, se N.B. po kalonte andej, të cilët pastaj kanë shtënë me rafalë të gjatë, me 40 fishekë duke e lënë të vdekur, thuhet në aktakuzë.

Në veturën e N.B. ndodheshin dhe S.B. dhe U.B., të cilat kanë vdekur, ndërsa i plagosur kishte mbetur B.B., ndërsa pa lëndime kishte mbetur S.B.