Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria jep detaje për të arrestuarin e katërt

Prokuroria e Pejës ka njoftuar se lidhur me rastin e vrasjes se trefishtë në Gllogjan ka ndaluar një person nën dyshimin se i njëjtit ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi apo kontroll e paautorizuar e armëve”.

Sipas njoftimit, prokurorja e çështjes, në vazhdën e hetimeve intensive për rastin në fjalë, ka autorizuar Policinë  e Kosovës për arrestimin e K. M., i cili fillimisht është ndaluar për 48 orë.

“Brenda afatit ligjore, prokurorja e çështjes, ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten është arrestuar edhe një person i dyshuar për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit që ndodhi më 26 nëntor të vitit të kaluar.

Ky është i dyshuari i katërt që është arrestuar për rastin tragjik ku mbetën të vdekur tre persona.

Njërit nga të dyshuarit masa e paraburgimit më 10 janar iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Tre persona janë vrarë dhe një ka mbetur i plagosur në sulmin me Kallashnikov ndaj një autobusi që po transportonte nxënës. Të vrarët janë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Pas hetimeve të gjata, Prokuroria e Pejës ka njoftuar për arrestimin e tre të dyshuarve.

Të ndaluarit për këtë rast janë familjarë ndërmjet vete (babai dhe dy djemtë). Sipas Prokurorisë ata dyshohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.