Vrasja e trefishtë në Gllogjan, njërit të dyshuar masa e paraburgimit i zëvendësohet me arrest shtëpiak

Tre të dyshuar janë arrestuar më 11 dhjetor 2021 në lidhje me vrasjen e trefishtë që ka ndodhur në Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor 2021.

Gjykata e Pejës kishte caktuar masën e paraburgimit për të tre.

Mirëpo, sot Gjykata e Pejës e ka zëvendësuar masën për njërin prej tre të dyshuarve.

Zyrtarja për informim e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti, ka treguar për KALLXO.com se për njërin prej të dyshuarve është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Tre persona janë vrarë dhe një ka mbetur i plagosur në sulmin me Kallashnikov ndaj një autobusi që po transportonte nxënës dhe po kthehej nga Gjakova.

Të vrarët janë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Pas lajmit për këtë vrasje të trefishtë në Gllogjan kanë shkuar krerët e institucioneve më të larta të drejtësisë, Policisë por edhe të institucioneve qeveritare.

Pas hetimeve të gjata, Prokuroria e Pejës ka njoftuar për arrestimin e tre të dyshuarve.

Të ndaluarit për këtë rast janë familjarë ndërmjet vete (babai dhe dy djemtë).

Sipas Prokurorisë ata dyshohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Vrasja e dy nxënësve që po ktheheshin në shtëpi dhe e shoferit të autobusit kishte tronditur opinionin jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.