Vrasja e trefishtë në Fushë-Krujë, policia ofron mbi 25 mijë euro për çdo informacion për zbardhjen e ngjarjes

Teksa kanë kaluar rreth 18 orë që nga vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë –Krujës mesditën e së dielës gjatë një atentati, ende nuk ka asnjë të arrestuar, por vetëm disa të shoqëruar që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Policia e Shteti ka vënë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e vrasjes së 3 personave në Fushë-Krujë, 3 milionë lekë të rinj (25,544 euro).

22-vjeçari Brilant Martinaj, 30 vjeçari Diklen Vata, dhe Arbër Hoxha, po udhëtonin me një mjet Volkswagen Passat nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit, kur rreth orës 14:00 nga një makinë tjetër po Volkswagen u qëlluan me breshëri automatiku.

Diklen Vata ishte viktima e parë që u identifikua, pasi mundi të dalë nga makina, por autorët që ishin ende në vendngjarje janë kanë qëlluar ndaj tij me një tjetër breshëri, duke u siguruar që të mos mbijetonte, duke e lënë të vdekur në mes të rrugës. Ndërsa Hoxha dhe Martinaj mbetën të bllokuar brenda mjetit që shpërtheu në flakë, duke djegur plotësisht trupat e tyre.

Brilant Martinaj ishte i dyshuar për vrasjen e policit Xhulio Prela para dy vitesh. Kurse Diklen Vata rezulton person me precedentë penalë për trafik narkotikësh.

Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volswagen Passat” që dyshohet se është i autorëve. Në brendësi të automjetit është konstatuar një automatik që dyshohet se është përdorur nga autorët për të kryer krimin.

Nuk dihen ende shkaqet e atentatit, ndërsa dyshimet e para janë pazaret e drogës. Policia ngriti grupe kontrolli në të gjithë zonën, ndërsa për hetime në vendngjarje mbërritën drejtuesit më të lartë të policisë./TopChannel