Vrasja e trefishtë në Deçan, vjen reagimi nga ambasada amerikane në Prishtinë

Vrasja e trefishtë natën e mbrëmshme në Gllogjan të Deçanit përmes një sulmi me armë në drejtim të një autobusi ka tronditur gjithë vendin.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ende nuk ka asnjë të dyshuar dhe që janë duke e hetuar rastin.

I ngarkuari me detyrë në ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe ka reaguar në Twitter duke i shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

“Të tronditur nga sulmi i dhunshëm ndaj studentëve në Gllogjan. Autoritetet po punojnë për nxjerrjen e shpejtë të autorit(ve) para drejtësisë. Ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave dhe i uroj të lënduarve shërim të shpejtë”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.

Nga sulmi, mbrëmë rreth orës 19:00 mbetën të vdekur tre persona, ngasësi i autobusit dhe dy nxënës të cilët ishin në të. Ndërsa, një tjetër mbeti i plagosur por jashtë rrezikut për jetën.

Mbrëmë, drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti konfirmoi se po zhvillohen hetimet në disa pista.

“Aktualisht kemi dy – tri pista në të cilat jemi duke punuar. Nuk mund të jap detaje, sepse ekipet janë duke punuar dhe ende jemi në fazë fillestare. Kjo do të thotë që jemi në dy ose tri drejtime të caktuara por ende është shumë herët me dhënë detaje”, deklaroi Mehmeti mbrëmë nga Deçani.

Ai ka thënë se në këtë rast, arma e përdorur dyshohet të jetë Kallashnikov.

“Sonte në këtë vend ka ndodhur një situatë shumë tragjike, fatkeqësisht një person ka humbur jetën në vend ngjarje ndërsa dy persona në spital kanë humbur jetën. Dyshohet që sulmi ka ndodhur me AK-47”, deklaroi Mehmeti.