Vendi ku ndodhi vrasja nga polici Shefki Spahiu - Foto: KALLXO.com

Vrasja e të riut nga polici në Suharekë, Gjykata Supreme e zëvendëson dënimin me burg të përjetshëm me 25 vjet burgim

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta ndryshojë dënimin e shqiptuar ndaj ish-policit të Kosovës, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e punëtorit të kazinos në Suharekë, Jetmir Aliaj. Vrasja ka ndodhur më 17 mars 2019.

Ish-polici është dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, Gjykata Supreme e ka ndryshuar dënimin me burg të përjetshëm në dënim me 25 vjet burg.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Emrush Kastrati, i cili ka thënë se pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, të dënuarit Shefki Spahiut i është zbutur dënimi në 25 vjet burgim.

“Sipas kërkesës sime për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës pas shkeljeve të shumta ka ndryshuar vendimet e gjykatave me të cilat burgimin e përjetshëm e ka bërë në 25 vite burgim”, ka thënë avokati Kastrati.

Avokati tutje ka shtuar se Gjykata ka gjetur elemente të veprës penale lidhur me veprën penale të vrasjes dinake, ndërsa nuk ka gjetur elemente të veprës penale të vrasjes për dobi pasurore.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Supremes në të cilin thuhet se në dëm të të dënuarit është bërë shkelje e ligjit penal prandaj shkalla e tretë vendosi që të aprovojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në pikëpamje të vendimit të dënimit.

Supremja ka konstatuar se në rastin konkret është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm megjithëse nuk janë plotësuar kushtet ligjore të parapara në nenin 44 të KPK-së.

Sipas nenit 44 të KPK-së, ligji mund të parashohë dënimin me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale të kryera në rrethana veçanërisht rënduese ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

“Në këtë rast me veprën penale të vrasjes së rëndë nuk mund të cilësohet si “pasojë shumë e rëndë” pasi fjala shumë nënkupton një të keqe edhe më të madhe”, thuhet në vendim.

Supremja ka vendosur që të dënuarit t’i shqiptohet dënimi në kohëzgjatje prej 25 vitesh burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë. Me këtë rast sipas Gjykatës Supreme nuk përcaktohen dënime të veçanta për këtë vepër penale dhe veprën manipulim i provave të cilat janë kryer në bashkim.

“Supremja vendosi që lartësia e dënimit me burgim vetëm për veprën e parë të jetë burgim në kohëzgjatje prej 25 vitesh. Duke pasur parasysh se fjala është për maksimumin e këtij lloji të dënimit, nuk kishte mundësi ligjore për secilën t’i shqiptohet dënim unik, sepse përcaktimi i dënimeve të veçanta e pastaj dënimi unik nuk mund të tejkalojë periudhën 25 vjeçare”, thuhet në vendimin e Supremes.

Gjykata Supreme ka ardhur në përfundim se në anën e të akuzuarit ekzistojnë rrethanat rënduese të cilat janë vlerësuar nga gjykatat e instancave më të ulëta, por nuk gjeti rrethana që kanë arsyetuar shqiptimin e dënimit më të butë, gjegjësisht nën maksimumin ligjor të këtij lloji të dënimit.

Ish-rreshteri i Policisë, Shefki Spahiu ishte dënuar me burgim të përjetshëm në shtator të vitit 2020 nga Gjykata e Prizrenit.

Ai akuzohej se gjatë kohës sa kishte qëndruar në kazino, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock” dhe kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Kurse për veprën penale manipulim me prova, qysh në fillim të gjykimit, i akuzuari Spahiu kishte pranuar fajësinë.

Kurse Gjykata e Apelit këtë vendim e kishte vërtetuar më 2 prill 2021.

Vendimi i Apelit më 29 qershor 2021 ishte vërtetuar nga Gjykata Supreme.

Vrasja në kazino, i vërtetohet burgu i përjetshem ish policit Shefki Spahiu

Mirëpo pas ankesës së avokatit Emrush Kastrati, Gjykata Supreme e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, atë të Gjykatës Themelore në Prizren dhe aktgjykimin e saj marrë në qershor të 2021, duke e anuluar kështu dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-rreshterit të Policisë së Kosovës, Shefki Spahiut.