Vrasja e të dyshuarit për vjedhje në Shtime, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve, mbrojtja lirimin e plotë
Më 07 gusht 2019, në një shtëpi në Shtime ishte vrarë F.G., i cili kishte hyrë i armatosur bashkë me një person tjetër në shtëpinë e të akuzuarve A.N., dhe N.N., të cilët janë vëllezër.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar vëllezërit A.N. dhe N.N., të akuzuar për vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme ishin dënuar nga Gjykata e Ferizajt. Të akuzuarit A. N., i ishte shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti, ndërsa të akuzuarit tjetër N.N., dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vjet e tre muaj.
Lidhur me këtë, mbrojtja e të akuzuarve ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit duke kërkuar lirimin e të akuzuarve nga aktakuza, pasi sipas tyre, kualifikimi nga Prokuroria nuk është adekuat.
Avokati Abdurrahim Islami, ka thënë për KALLXO.com se nga Gjykata e Apelit kanë kërkuar që ndaj të akuzuarve të nxjerrët vendim me të cilin të akuzuarit do të lirohen nga akuzat.
“Ndaj klientit tim nga Gjykata e Apelit kërkuam që të lirohet nga akuza për veprën penale me të cilën akuzohet pasi që konsiderojmë që nuk e ka kryer atë vepër. Klienti im në natën kritike ka qenë në shtëpi dhe gjithçka ka ndodhur pa fajin e tij. Gjithashtu klientit tim i është vështirësuar edhe gjendja financiare pasi që për shkak të procedurës penale ndaj tij nuk ka mundur të shkoj në botën e jashtme atje ku jeton”, ka thënë për KALLXO.com avokati Islami.
Kujtojmë se sipas Prokurorisë, të akuzuarit A.N. dhe N.N., më 7 gusht 2019, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F. G., i cili paraprakisht me A. T., kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me të vërejtur i pandehuri N. N. fillon të përleshet fizikisht me të njëjtit, ku dhe plagoset me armë zjarri në këmbë nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë që të largohen nga shtëpia me ç’rast të akuzuarit me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së tyre, e ndjekin deri në rrugën kryesore.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, pas diku 300 metrave, arrijnë ta kapin dhe përsëri përleshën me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes me mjetin që arrin t’ia marrin nga dora tani të ndjerit – thikë, e godasin në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F. G. mbetet i vdekur në vend.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:
Vrasja e të dyshuarit për vjedhje në Shtime, dënohet mërgimtari bashkë me të vëllanë