Vrasja e Shkodran Bytyqit: I dyshuari pranoi se e kishte vrarë dhe djegur viktimën

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi rrëfimet ekskluzive se si kishte ndodhur vrasja e 32 vjeçarit Shkodran Bytyqi nga Ferizaj.

Bytyqi ishte vrarë natën e 8 dhjetor të këtij viti rreth orës 18 në fshatin Surqinë të kësaj komune dhe me pas nga aty i dyshuari e kishte marrë trupin e viktimës dhe e kishte dërguar në fshatin Kishnapole të komunës së Gjilanit.

Më pas ai dyshohet se sërish ishte kthyer në këtë fshat dhe ia kishte vënë zjarrin kufomës.

Ai në marrjen në pyetje nga prokurori Burim Çerkini duke u përballur me faktet e Policisë dhe Prokurorisë e kishte veprën e kryer.

“Rreth orës 15:07 jam taku në një kafene në Ferizaj, e kam pritur jashtë, kam qenë i vetëm, aty kam shkuar me veturën time”, theksoi i dyshuari para Prokurorit.

Prokurori Çerkini ka treguar për “Drejtësia në Kosovë” se si e ka pranuar veprën i dyshuari.

“Pas këtyre rezultateve të këtyre masave kemi dyshuar se këtu nuk kemi të bëjmë me person të zhdukur por ka diçka me të rëndë dhe është dyshuar për një vrasje ku kemi arrestuar personin tani të dyshimtë. Fillimisht i njëjti nuk ka pranuar se çka ka ndodhë. Më pas deri sa është përballur me provat që ne i kemi pasur i njëjti e ka pranuar gjithë veprën penale dhe është arrestuar”, theksoi Prokurori Çerkini.