Vrasja e Qerim Kelmendit, reagon presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i vendit ka reaguar për lajmin për vrasjen e luftëtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi, duke thënë se kjo vrasje tinëzare ishte tronditëse.

Thaçi ka bërë thirrje urgjente që sa më shpejtë të zbardhet kjo vrasje.

“Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. I bëj thirrje urgjente institucioneve të rendit dhe ligjit, që ta zbardhin këtë vrasje të tmerrshme sa më shpejtë që është e mundur dhe kryesit e saj të vendosën para drejtësisë”, ka shkruar Thaçi në postimin e tij në facebook.

Thaçi u ka shprehur ngushëllime familjes Kelmendi dhe gjithë bashkëluftëtarëve të Qerimit, duke i siguruar se do t’i përdor të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për ta zbardhur këtë vrasje mizore.

Qerim Kelmendi u gjet i vdekur në orën 01:27 të mëngjesit të sotëm. Ai u gjet brenda një veture të djegur në fshatin Zahaq në Pejë.

Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës vetura ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri..

“Rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, njofton Policia.

“Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

“Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VW Passat me targa vendore. Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ne bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm”, bën të ditur Policia.

Zenel Kelmendi, vëllai i Qerim Kelmendit i cili u gjet i vdekur brenda një veture të djegur në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë dyshime në askënd deri më tani.

“Njëherë për njëherë nuk kemi dyshime. Kam bisedu me të ndjerin para një jave, bile ish fjala jo Haga a thirrin, tha ‘punë e madhe shlir shkoj’, mirëpo ai nuk ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale por thojke kishin ba mirë me m’thirrë”, tha Zenel Kelmendi.

Ai shtoi se dikush qëndron prapa kësaj për të cilën tha se “ka qenë e organizuar dhe e rrallë”.

“Dikush qëndron mbrapa kësaj. Policia është ende në vendin e ngjarjes, është shumë atentat i organizuar dhe sipas informacioneve të para të hetuesisë po dyshohet që brenda 30 metrave janë shtënë 3 rrafalla. Sipas gëzhojave dhe kur e kanë vërtetu që e kanë vra e kanë kallë kerrin me një kofë me benzinë”, tha Kelmendi.

Më herët, reagoi edhe vëllai tjetër i viktimës, ish-drejtuesi i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi.

Ibrahim Kelmendi reagimin e tij e ka shoqëruar me një fotografi të vëllait në uniformë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), bashkë me dy dëshmorët Ilir Konushevci e Adrian Krasniqi.

“Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin, qelbësira shqipfolëse!”, ka shkruar Kelmendi në Facebook pak orë pasi trupi i vëllait të tij, Qerim Kelmendit, u gjet i vdekur në një veturë të djegur në fshatin Llabjan të Pejës.

Reagimi i Ibrahim Kelmendit pasi vëllai i tij, Qerimi, u gjet i vdekur në Pejë

.