Vrasja e Qerim Kelmendit, reagon kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas vrasjes së ish-luftëtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi, ku ka thënë se policia dhe prokuroria duhet ta hetojnë këtë rast.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se njoftimin për të e ka marrë në fillim nga ministria e pastaj nga mediat.

“Herët nga ministria e pastaj nga mediat mësuam se është vrarë dhe djegur në makinën e tij, Qerim Kelmendi, ish ushtar i UÇK-së. 21 vjet pas luftës, në kohë të paqes, askush nuk duhet të jetojë me ndjenjën e frikës e sidomos ata që sakrifikuan më së shumti”, ka thënë Kurti.

“Policia dhe prokuroria duhet ta hetojnë me gjithë kapacitetin e tyre këtë vrasje mizore që është më shumë se krim”, ka shtuar ai.

Për vdekjen e Kelmendit ka reaguar edhe presidenti, Hashim Thaci, duke thënë se kjo vrasje tinëzare ishte tronditëse.

Qerim Kelmendi u gjet i vdekur në orën 01:27 të mëngjesit të sotëm. Ai u gjet brenda një veture të djegur në fshatin Zahaq në Pejë.

Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës vetura ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri..

Zenel Kelmendi, vëllai i Qerim Kelmendit i cili u gjet i vdekur brenda një veture të djegur në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë dyshime në askënd deri më tani.

Reagimi i Ibrahim Kelmendit pasi vëllai i tij, Qerimi, u gjet i vdekur në Pejë

www.kallxo.com