Vrasja e policit, reagon Xhelal Sveçla

Mbrëmë në mesnatë në fshatin Zllatar të Prishtinës u vra nga arma e zjarrit një polic.

Ai dyshohet se u qëllua nga një koleg zyrtar policor gjatë një ndenje.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se janë angazhuar institucionet relevante për ta zbardhur rastin.

“Me të marrë lajmin, kam kontaktuar kryeshefin e IPK-së nga i cili kam kërkuar angazhimin maksimal të këtij institucioni në hetimin e plotë të kësaj ngjarje dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

“Tashmë janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen para përgjegjësisë”, thuhet në reagimin e tij.

Sot, përmes një njoftimi për media, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se gjashtë policë janë suspenduar ndërsa njëri prej tyre po dyshohet se qëlloi kolegun e tij.

Gjithsej, sipas këtij institucioni mbikëqyrës të Policisë së Kosovës, në ndejë ishin të pranishëm 15 zyrtarë policorë.

“Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion  përmes “Linjës së kaltër” nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës ku ishte plagosur një person”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare”, njofton IPK.

Pas rastit, IPK ka suspenduar gjashtë zyrtar policë ndërsa ka rekomanduar edhe suspendimin e nëntë të tjerëve.

Ndejë private ku prezent ishin 15 policë, detaje nga vrasja e policit në Zllatar

www.kallxo.com