Vrasja e policit, nesër ditë zie në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur ditën e enjte ditë zie në nder të rënies në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaqi.

Siç njofton Presidenca, në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, të shpallur për ta nderuar jetën dhe veprën e policit Sami Thaqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Thaçi ka ndarë sot edhe urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaqi.

“Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, ka thënë presidenti.

Polici i vrarë mbrëmë, Sami Thaqi është varrosur sot në varrezat e fshatit Shkarashnik ne Komunën e Malishevës.

Një natë më parë, në fshatin Zhur të Prizrenit, është vrarë zyrtari policor Sami Thaqi, si dhe  dy pjesëtarë të tjerë të policisë dhe një fëmijë kanë mbetur të lënduar nga incidenti gjatë bastisjes së një shtëpie.

Shpërthimi që rezultoi fatal për Sami Thaqin ka ndodhur në shtëpinë e Iran Badallit, në fshatin Zhur të Prizrenit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro për familjen e Sami Thaqit dhe nga 10 mijë për dy të lënduarit.

VIDEO: Varrimi i policit Sami Thaqi